EKSKLUZIVE/ E reklamoi dhe Myler, 19-vjeçari shqiptar që luan në Gjermani pret një ftesë nga…

Me origjinë nga Shkodra, por i lindur në Gjermani, Brajan Gruda është një tjetër talent shqiptar, i cili po dallon në Bundesligë. Dalë nga moshat e Maincit, këtë sezon ai po luan rregullisht me ekipin e parë dhe në tetë ndeshje deri tani ka shënuar një gol dhe ka asistuar po njëherë, kjo kundër gjigantëve të Bajernit.

Patjetër që Gruda është një lojtar cilësor, i cili luan si mesfushor i avancuar në krah, por pyetja është nëse do ta shohim një ditë me fanellën e Kombëtares shqiptare.

“Panorama Sport” mëson se pak kohë më parë, stafi i Shpresave ka kontaktuar me lojtarin dhe prindërit e tij, duke i kërkuar që të vishet kuqezi, por problemi qëndron se Gruda është pjesë e rregullt e moshave të Gjermanisë, që nga U-15 dhe deri tek U-21 që është aktualisht, ku ka luajtur edhe tri ndeshje.

Në këtë pikë, vetë lojtari ka qenë i sinqertë dhe ka lënë gjithçka të hapur, pasi pret fillimisht Gjermaninë dhe më pas do të shohë edhe situatën si do të shkojë.

Por, afrimi i Brajan Grudës te Shqipëria ka edhe një tjetër prapaskenë. Ditët e fundit, mësohet se dëshira e lojtarit 19-vjeçar për të përfaqësuar Shqipërinë është rritur ndjeshëm dhe një ndër pretendimet është edhe një ftesë nga Silvinjo.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vazhdim me Grudën, duke qenë se shihet si një futbollist me shumë potencial dhe në një moshë të vogël, vetëm 19 vjeç.

Shifrat e tij te të rinjtë e Maincit janë të frikshme pasi në 34 ndeshje ka shënuar 17 gola dhe 7 asiste dhe jo si sulmues i mirëfilltë.

Pak javë më parë, pas duelit që Bajerni luajti me Mancin, Tomas Myler tërhoqi vëmendjen duke pozuar me bluzën e Brajan Grudës.

“Faleminderit Brajan Gruda për fanellën tënde, vazhdo të punosh shumë miku im”, shkroi Myler.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top