Rikthehet historia e Tiranës me gjyqe të humbura dhe masa që merren nga FIFA. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se dje, pikërisht në ditën e ndeshjes Tirana-Beshiktashi, është marrë një vendim nga Komisioni i Disiplinës, që bllokon merkaton e bardhebluve, duke i hequr mundësinë e regjistrimit të lojtarëve të rinj nga brenda dhe jashtë vendit deri në përmbushjen e detyrimit ndaj ish-sulmuesit anglez, Majkëll Ngo.
Ky i fundit ka fituar një gjyq në FIFA ndaj Tiranës dhe klubi bardheblu mësohet se nuk i ka shlyer ende një shumë që mendohet se është rreth 40 mijë euro. Gazeta ka zbuluar dokumentin që konfirmon bllokimin e merkatos së Tiranës, teksa mban datën 3 gusht 2023.
VENDIMI “Duke iu referuar çështjes së përmendur më sipër, si dhe vendimit të marrë nga FIFA, rezulton se, pavarësisht vendimit, pala e paditur FK TIRANA, ende nuk ka përmbushur detyrimet e saj financiare ndaj zotit Majkëll Ajodeji Ngo (paditësi). Në këtë drejtim, dëshirojmë të njoftojmë palët se FIFA ka zbatuar një ndalim për regjistrimin e lojtarëve të rinj ndërkombëtarë. Gjithashtu, në përputhje me vendimin e përmendur më sipër, i kërkohet Federatës Shqiptare të Futbollit që të zbatojë menjëherë ndaj palës së paditur, Klubin FK TIRANA, nëse nuk është bërë ende, ndalimin e regjistrimit të lojtareve te rinj në nivel kombëtar. Ju falënderojmë që keni marre parasysh sa më sipër dhe për bashkëpunimin e vyer në këtë çështje”, citohej në dokumentin që mban firmën e Julien Deux, i cili është kreu i organit të drejtësisë në FIFA. Tashmë mbetet për t’u parë reagimi i klubit bardheblu, që me siguri do të mbyllë shpejt këtë çështje, pasi rrezikon masa të tjera.