Situatë kaotike në Shijak! Pas refuzimit të trajnerit për të marrë drejtimin e skuadrës, “Panorama Sport” mëson se është prishur edhe marrëveshja paraprake që ishte arritur mes biznesmenit Ali Kasa dhe drejtuesit aktualë të klubit.
Mësohet se akordi mes palëve nuk ka mundur të marrë një formë ligjore dhe kësisoj, sponsori që vjen nga Australia dhe që ishte në ditën e parë të stërvitjes së ekipit gjatë javës së kaluar, nuk do të jetë president i Erzenit.
Tashmë “topi” i mbetet shoqatës që ka marrë përsipër administrimin e klubit. Problemi më i madh janë financat dhe në kushtet kur nuk po jepet garanci, skuadra rrezikon të ketë një eksod masiv në ditët në vijim.
Koha nuk premton, pasi kampionati nis më 19 gusht dhe tek Erzeni po përsëritet situata e verës së kaluar, ku klubi u organizua në momentet e fundit. Aktualisht ekipi vijon stërvitjen me trajnerin Alfred Deliallisi.