Transferimi më i bujshëm i janarit është Xhuliano Skuka. Sulmuesi vendosi të kthehet te Partizani pas një viti te Metzi e më pas te Maribori, në Slloveni.
Dibrani ka vendosur të ristartojë aty ku arriti kulmin e karrierës dhe ku vuri në jetë edhe transferimin më të shtrenjtë ndonjëherë në futbollin shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Skuka tregon për rikthimin, kontratën “e përjetshme” si i kuq dhe të veçantat e Orges Shehit. Dibrani flet për kritikat, teksa shprehet se ata që flasin keq, nuk kanë shumë informacion mbi atë që ka ndodhur. 25-vjeçari rrëfen edhe pengun e transferimit te Metzi, që do të donte ta kishte bërë në verë dhe jo në janar.
Përse zgjodhët që të ktheheshit te Partizani?
Mendoj se rikthimi te Partizani është mënyra më e mirë për tu rikthyer atje ku e lashë. Besoj se kjo eksperiencë te Partizani do të më shërbejë fort në aspektin moral veçanërisht, por edhe fizik, pasi po stërvitem fuqishëm dhe do të kem më shumë mundësi për të luajtur dhe për të treguar veten.
Patët oferta të tjera përveç Partizanit nga jashtë vendit, por edhe në Superiore?
Nga jashtë Shqipërisë nuk e di, sepse është marrë menaxheri, por për brenda vendit kam kontratë “të përjetshme” me Partizanin.
A keni ndonjë keqardhje që u transferuat te Metzi dhe jo diku tjetër, ku mund ta kishit më të lehtë?
Jo, jo. Nuk kam asnjë pendesë që jam transferuar te Metzi. Është ekip shumë i mirë, dihet ajo. Tani luan në League 1 dhe duket niveli. Ndoshta “pengu” i vetëm është që nuk u transferova në verë. Doja ta kisha ngritur edhe unë trofeun e titullit kampion, sepse ia bëra mirë hyzmetin për sa kohë isha këtu. Shpresoj ta ngre kupën këtë herë, dashtë Zoti!