Shqipëria do të luajë takimin e parafundit në këtë fushatë kualifikuese, ku nëpërmjet ndeshjes me moldavët, do të kërkojë të marrë një pikë minimumi, që do t’i mjaftonte për të prerë një biletë drejt Europianit 2024.
Por, le të kthehemi shumë vite mbrapa, pasi transferta moldave ka edhe një rekord tjetër për ekipin kombëtar. Njëzet e tetë vite më parë, Kombëtarja shqiptare do të arrinte fitoren e parë jashtë fushe, me një përmbysje 3-2 në Kishinau ndaj Moldavisë që në fushë shënonte me trajnerin aktual Kleshenko.
Golat e Kushtës, Bellait dhe Vatës sollën këtë sukses historik që pritej prej vitesh në atë kohë. Një nga autorët e golave, gjirokastriti Arian Bellai, tregon për “Panorama Sport”, kujtimet e asaj ndeshjeje.
“Më pasoi Kushta dhe shënova te 5-metërshi me një ‘panenka’ të bukur”, shprehet ai.
Ish-futbollisti i përfaqësueses flet edhe për ndeshjen e nesërme, ku sipas tij kualifikimi do të mbyllet që në Moldavi.
28 vite më parë në Moldavi, Shqipëria ka marrë fitoren e parë në transfertë, si e kujtoni atë ndeshje?
Më ke kthyer shumë pas në kohë, pasi prezenca me ekipin kombëtar është nderi më i madh për një futbollist, për shkak se është një privilegj i jashtëzakonshëm të luash për fanellën e Kombëtares. Sigurisht për mua ishte një ndeshje që kam për ta mbajtur mend gjithë jetën, pasi shënova golin e parë më të rëndësishëm në karrierën time me Kombëtaren, kishte një eufori të madhe, festë në dhomat e ndërrimit për shkak se arritëm fitoren e parë në transfertë në historinë e Kombëtares.
Keni realizuar golin e barazimit, me aq sa mbani mend, si e shënuat, me cilën këmbë apo me kokë, kush ju asistoi?
Për të mos gabuar, me sa më kujtohet më ka asistuar Kushta dhe unë shënova golin me këmbën e majtë brenda 5- metërshit me një “Panenka”.
Duke qenë se ishte fitorja e parë jashtë fushe, si u prit ekipi kombëtar kur u kthye në vend?
Sigurisht kur ekipi përfaqësueses arrin që të fitojë në transfertë është një arritje e madhe dhe një nder për të gjithë tifozët, të cilët festonin në Shqipëri.