Valentino Murataj prezantohet te Flamurtari. Ish-kapiteni i Partizanit nis një aventurë të re në Vlorë me misionin e qartë për të ngjitur kuqezinjtë në Superiore. Ai është një lojtar me shumë eksperiencë, ndërsa sezonet e fundit luajti për Partizanin. Në të kaluarën ka pasur histori te Dinamo dhe Bylis. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, Valentino thotë se ishte këmbëngulja e Sinan Idrizit dhe projekti i klubit që e sollën në Vlorë. 27-vjeçari i lindur në Fier, ka bindjen se Flamurtari do të ngjitet në elitë dhe për këtë premton sakrificë dhe punë. Mesfushori thekson se do të luftohet edhe në Kupën e Shqipërisë. Është krenar që për katër vite ka pasur sukses me Partizanin. Si peng të vetëm ka ndeshjen me Astanën që i fuste në grupe në Europë.
Murataj, nga Partizani te Flamurtari, çfarë ju bindi?
Më bindi projekti i klubit dhe këmbëngulja e presidentit Sinan Idrizi, që unë të isha pjesë e skuadrës së tij. Flamurtari është një emër i madh në futbollin shqiptar.
Kush ju telefonoi nga klubi vlonjat dhe jua bëri ofertën?
Kam biseduar me presidentin Sinan Idrizi dhe drejtorin Artim Pollozhani, të cilin e kam pasur edhe te Partizani. Ishte një ofertë që nuk mund t’i thosha jo.
Si e shihni organikën e Flamurtarit këtë sezon?
Flamurtari ka lojtarë me përvojë të madhe dhe me shumë cilësi. Mendoj që do të luftojmë edhe në Kupën e Shqipërisë me këta lojtarë që ka skuadra. Kam shumë besim që do të bëjmë një punë të mirë së bashku.
Flamurtari duket si një Partizan i vogël, ju “ngroh” më shumë kjo gjë?
Si Flamurtari edhe Partizani janë dy ekipe me traditë të madhe në futbollin tonë. Unë mendoj se shumë shpejt Flamurtari do të jetë në Superiore dhe do të konkurrojë për gjithçka.
Siç e thatë edhe ju, objektivi është madhor, besoni se ky do të jetë viti i Flamurtarit?
Ne do të punojmë çdo ditë me sakrificë dhe punë do t’i arrijmë objektivat e klubit
Keni ndonjë peng nga periudha te Partizani?
Peng mund të them se kam ndeshjen me Astanën, që futeshim në grupe të Ligës së Konferencës. Të tjerat i kam fituar dhe jam krenar për ato që kam bërë për katër vite.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL