Eros Grezda, një nga afrimet më të mëdha të kësaj merkatoje vere, debutoi dje në fitoren e Partizanit ndaj Strugës me shifra minimale. Sulmuesi nga Gjakova pati dy mundësi të mira, por goli nuk erdhi në këtë sfidë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi tregon për ardhjen te “demat”, teksa thekson se erdhi te kampionët për titullin dhe suksesin në arenën europiane.
Grezda, përse zgjodhët të transferoheshit te Partizani?
E kam deklaruar se arsyeja kryesore që unë jam në Shqipëri është se familja ime ka nevojë që unë të jem këtu. Gjithashtu edhe projekti i Partizanit më bindi, dua që ta shoh veten në këtë nivel dhe ta ndihmoj ekipin që të realizojë objektivat në Europë dhe në kampionat.
Luajti rol kryesor Zekiç për ardhjen tuaj këtu?
Po, me Zekiçin kemi një raport shumë të mirë. Kemi një kohë të gjatë që jemi në kontakt. E di shumë mirë se çfarë do ai. Më pëlqen shumë mënyra se si ai kërkon që ne të luajmë. Kam shumë besim se do të bëjmë mirë me të, sepse është një ndër trajnerët më të mirë që kam pasur.
Cili është synimi juaj në këtë sezon me Partizanin?
Dua që fillimisht të shkojmë sa më larg në garat europiane dhe më pas të shpallemi sërish kampionë të Shqipërisë.