Dinamo do të përballet me Elbasanin këtë të hënë, për të luajtur sfidën e vlefshme për javën e 12-të të Superiores. Në prag të supersfidës që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, ka folur trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja.
“Donim fitoren me Bylisin, por kundërshtari nuk vodhi asgjë. Bëri një pjesë të parë më të mirë se ne. Në ato 30 minuta të pjesës së parë nuk bëmë atë që duhej të bënim. Kundërshtari ndryshoi manovren dhe ne duhej t’i ishim përgjigjur. Por duhet t’i shohim gjëra pozitivisht, pasi skuadra reagoi.
Nuk ka ndeshje të lehta, aq më shumë kundër Elbasanit. Mendoj se është një ndeshje mes të barabartëve. Edhe në tabelë kemi tregues thuajse të njëjtë. Elbasani ka pësuar më pak gola, ka një mbrojtje të konsoliduar. Ne kemi bërë më mirë në drejtim të sulmit.
Do të vendosin episodet, sepse as ne dhe as Elbasani nuk kemi pasur shumë kohë për t’u përgatitur. Favorizohet ekipi që do të diktojë lojën dhe shpresojmë ta bëjmë ne një gjë të tillë, edhe pse do të jetë e vështirë.
Kundërshtari ka tifozët në krah, por ndonjëherë është më mirë të kesh edhe tifozët kundër se sa të ketë pak tifozë. Ne duam të drejtojmë me lojën tonë. E dimë që nuk është e thjeshtë, por duhet t’i marrim gjërat me qetësi, me dëshirë për t’u sfilitur në thonjëza që të shkojmë te rezultati pozitiv.
Elbasani është një atmosferë që e kam provuar në suport, kur e kam drejtuar këtë skuadër. I njoh mirë tifozët e Elbasanit, që kur ekipi prodhon lojë dhe rezultate e mbushin stadiumin plot, si në asnjë vend tjetër në Shqipëri. I kam kundërshtarë, por kur kthehem aty kam nostalgji gjithmonë, sepse kam përjetuar suksesin tim të parë në Superiore. Do të zbresim në fushë për të bërë më të mirën”, është shprehur Daja.