“Elseid Hysaj ishte më i miri në fushë kundër Çekisë”! Redi Jupi: Nuk luajti vetëm se është pa ekip, nuk kishte logjikë teknike të luante Balliu dje

Pas humbjes së marrë me çekët, Silvinjo u shpreh në media se kundërshtari festoi si të kishte mundur Brazilin dhe se kjo tregon rritjen e Kombëtares tonë. Ndërkohë i ftuar në Procesi Sportiv, Sinemati ka ndërtuar një paralele krahasimi me ndeshjen që ne kemi fituar kundër Gjeorgjisë.

“Kur u mundëm nga Cekia, Silvinjo tha se cekët bën sikur po luanin me Brazilin. Po ne, nuk vepruam sikur po luanim kundër Brazilit me Gjeorgjinë që mbroheshim me 10 veta gjithë ndeshjen? Edhe ne si kundër Brazilit po luanim, me 9 veta, 10 veta në mbrojtje. Kjo është një fat i madh që të marrësh fitore, logjika e Silvinjos ishte më shumë për të barazuar sesa për të fituar”, tha Sinemati.

Ndërkohë Redi Jupi, ka prekur temën e zëvendësimit të Elseid Hysajt me Ivan Balliun. Sipas Jupit, ky ndërrim erdhi vetëm për shkak se Hysaj është pa ekip dhe stërvitje, sepse në të kundërt, Balliu nuk do të kishte vend.

“Nuk ishte çështja emrash dhe skeme, por vetëm impenjimi. Lojtarët nuk u impenjuan me Cekinë, por me Gjeorgjinë. Kushdo që të luante dje do të bënte mirë, të jeni të sigurt. Edhe nëse Daku do të luante para Tucit, prapë mirë do të ishte, se ishte e gjithë gjëja që po funksiononte. Hysaj ishte më i miri me Cekinë, në atë ndeshje ishte më i miri, mes të këqinjëve ishte më i miri. Hysaj nuk luajti dje vetëm për një arsye, se duke qenë se është pa ekip dhe nuk aktivizohet, është e pamundur për të që të mbajë dy ndeshje rresht. Se nëse i futemi logjikës teknike, duhej të luante Balliu kundër Cekisë dhe Hysaj kundër Gjeorgjisë, se Gjeorgjia ka lojtarin e Napolit në atë krahë dhe Hysaj është më i fortë se Balliu në fazën mbrojtëse”, tha Jupi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top