Manchester City po vuan formën e Arsenalit në këtë sezon të Premier League me The Citizens që nuk janë mësuar të renditen në vend të dytë. Aktualisht, skuadra e drejtuar nga trajneri Pep Guardiola është tetë pikë larg topcinjve, ndërsa vetë tekniku spanjoll zgjedh të marrë përsipër fajin sidomos pas disfatës në derbi me Manchester United. Guardiola theksoi së fundmi se i duhet të mendojë për më shumë zgjedhje taktike në fushë për të dërguar skuadrën te suksesi edhe kur ajo vuan.
“Nëse skuadra nuk luan mirë, atëherë unë jam personi përgjegjës. Më duhet të gjej zgjedhje taktike pasi unë besoj se sa herë nuk fitojmë ka një mangësi taktike. Më duket sikur unë nuk i ndihmoj mjaftueshëm në fushë, më duket sikur nuk i ndihmoj të jenë perfekt. Nëse humbasim pozicione në renditje do të thotë se po vuajmë. Kur unë të vdes njerëzit do të flasin se sa i mirë ishte Pep Guardiola, kjo është e sigurt. Por, unë jam ende këtu dhe të gjithë presin që City të fitojë ndeshje dhe të luajë mirë.
Unë dua të qëndroj te City dhe të fitoj, por ka edhe diçka. Fakti që unë e di çfarë duhet të bëjmë që të fitojmë, nuk do të thotë se kjo do të ndodhë me patjetër. Edhe pse njerëzit pyesin pse nuk jemi në kryesim, sërish është diçka që edhe një skuadre si City mund t’i ndodhë. Por, unë nuk kam asnjë dyshim për kualitetin e skuadrës dhe ne kemi luajtur mirë edhe pse u mposhtëm ndaj Manchester United.