Europiani Shqipëri-Serbi/ “Dardanët” thirrje Dukës: Me hasëm shekullor marrëveshje s’ka! Kreu i FSHF: Fiton edhe Kosova!

Vazhdon debati lidhur me marrëveshjen për Kampionatin Europian 2027 për moshat U-21. Shqipëria dhe Serbia kanë hedhur kandidaturë të përbashkët për të bashkëorganizuar Kampionatin, por në Shqipëri ka pasur shumë reagime lidhur me çështjen. Debati lidhur me çështjen ka nisur disa muaj më parë. Të parët që reaguan ishin “Tifozat kuqezi”, me anë të një postimi në rrjetet sociale, tifogrupi shprehej kategorikisht kundër këtij organizimi.

“Organizimi i Kampionatit Europian për moshat U21, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe shkijeve është akti më i turpshëm që bëhet në emër të tifozëve shqiptar dhe opinionin futbolldashës të Kombëtares Shqiptare të futbollit. Ky organizim assesi nuk mund të quhet i Shqipërisë, pasi FSHF-ja nuk ka kompentecën të flasë në emër të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por vetëm në emër të vetin si organizatë, e që pas këtij akti do gjej mbështetje vetëm tek punonjësit e vet që u jep pagë. Nuk mjaftuan me mijëra reagime, shkrime, emisione e analiza unanimisht KUNDËR për këtë nismë, por që FSHF-ja me saktë kreu i saj me hirë ose pahirë mori mbi supet e veta të drejtën e vendosjes kokë më vete për një nismë me kaq shumë kundërshtime. Nuk mjaftuan as qindra mijëra viktima shqiptare, gjenocidi e masakra nga ana e shkijeve. Gjithashtu nuk mjaftoi as nata e 14 tetorit kur Kombëtarja Shqiptare u gjend në një ambient terrori, e ku u bë thirrje “vrisni shqiptarët”, e ku lojtarët shqiptarë u rrahën e u fyen, madje edhe ju rrezikua jeta e tyre. Nismat e tilla kryeneçe, e mospërfillëse ndaj opinionit të të lartëpërmendurve, që për lavdinë e tyre personale, egoja e shëmtuar për të luajtur ndërtuesin e paqes globale në dëm të harmonisë së ekipit kombëtar, të mbështetësve të saj që me gjithë sakrificën e tyre financiare e familjare, e kanë ndjekur deri tani ekipin kombëtar, do t’ju kthehet bumerang. Nesër do të jetë vonë, kur thirrjet tuaja do të bëhen përgjëruese ndaj përkrahësve të Kombëtares dhe sportdashësve, për t’i ulë gjakrat e tensionin dhe për të kërkuar kompromis e partneritet,”- mbyllet reagimi i Tifozave Kuqezi.

Pas kuqezinjve, një reagim erdhi edhe nga kapiteni legjendar i Kombëtares, Lorik Cana. Në një intervistë për “Klan Kosova”, Cana u shpreh i pakënaqur me këtë bashkëpunim.

“Duka ka një meritë të jashtëzakonshme për zhvillimin e FSHF-së dhe të Shqipërisë. Është në bordin ekzekutiv të UEFA-s. Për Dukën kanë një respekt të jashtëzakonshëm, futbollistat e Serbisë kanë treguar respekt ndaj nesh, pjesa më e madhe e tyre na dolën në mbrojtje, por ndjenjat e tyre akoma nuk janë të sinqerta. Kjo përfaqësohet në çdo lloj aktiviteti që bëjnë. Unë këtu dalloj me ta. FSHF e kam mbrojtur dhe kam luajtur për ta, përfaqëson një simbol kombëtar. I them gjërat siç i ndjej dhe siç janë. Unë e shikoj ndryshe për momentin këndvështrimin e Serbisë ndaj nesh. Armando Duka, dëshirat i ka të mira, nuk i ka të këqija, nuk është mënyra dhe momenti i duhur për të bërë diçka të përbashkët me ta. Në një të ardhme pse jo, me gjithë qejf, në qoftë se gjërat janë në rrugën e duhur. Armand Duka ende nuk po e di se me kë ka punë. Nuk pajtohem me vendimin e tij për të organizuar kampionat me Serbinë. Punën e parë, unë vet nuk kam asnjë lloj besimi në sinqeritetin e tyre në çfarëdo lloj hapi që ndërmarrin me faktorin shqiptar dhe kur them me faktorin shqiptar, mundet me qenë Federata Shqiptare, Federata e Kosovës. Thjesht mendoj që nuk është mënyra dhe momenti i duhur për të bërë diçka të përbashkët me ta,”- tha Cana në “Klan Kosova”.

Reagimi më i fundit vjen nga “Dardanët”, tifogrupi i Kosovës. Në ndeshjen e fundit që Kosova fitoi të martën 3-0 kundër Qipros në Prishtinë, ultrasit i dërguan një mesazh kreut të FSHF-së, Armand Duka.

“Vëllau-vëllaun nuk e lëndon, me hasëm shekullor marrëveshje nuk bën,“-shkruan në një banderolë tifozët.

Banderola

Përgjigjen e morën sot nga Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Duka,  në një intervistë për Euronews Albania, komentoi deklaratën e ish-kapitenit të kombëtares Lorik Cana. Por më pas shtoi se sipas tij ky bashkëpunim Shqipëri-Serbi do të kontribuojë pozitivisht edhe për Kosovën.

“Ka disa media që duan ta komentojnë negativisht dhe unë u tromaksa kur lexova: “e di Duka me kë ka të bëjë”? Thashë do më vritka. Por në fakt e kishte për pabesinë e Serbisë, por konteksti u nxor për mediat. Unë i mirëpres kritikat. Padyshim që ka këndvështrime të ndryshme, por unë i ftoj që ta shohin pozitivisht, mesazhi është pozitiv. Kosovës jam shumë e sigurt që deri në 2027 do t’i kontribuojë në statusin e saj. Nuk ndryshon statusi i Kosovës me organizimin e një kampionati evropian, por ama është një gjest pozitiv, një mesazh paqeje, është një mesazh bashkëpunimi,”- tha Duka.

Por vendimi duket se thuajse është marrë! Sipas gjasave, Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë së bashku Kampionatin Evropian të U-21 për meshkuj në vitin 2027. UEFA ka deklaruar se vetëm oferta Serbi-Shqipëri përmbushi afatin për të paraqitur planet e detajuara të turneut. Edhe pse më shumë zëra kundër, duket se nga ana e FSHF-së nuk ka hapa pas!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top