Emri i Armando Brojës ka filluar të qarkullojë gjithnjë e më shumë në merkaton e janarit, pasi sulmuesi i Kombëtares shqiptare vlerësohet si një lojtar i cili është pranë largimit nga Çelsi. Por eksperti i njohur i merkatos, Fabricio Romano, ka shpjeguar se cili ishte kushti i vetëm që për momentin po mendon Çelsi për largimin e sulmuesit, në mënyrë përfundimtare.
“Situata nuk është për diskutim vetëm për drejtuesit dhe pronarët, por gjithashtu për Mauricio Poçetinon nëse ata mund të gjejnë lojtarin e duhur apo nëse dëshirojnë të vazhdojnë t’u besojnë Nikolas Xhekson dhe Brojës. Nëse ata firmosin me një sulmues të ri, me shumë mundësi Broja mund të largohet në huazim.
Ndaj ka disa gjëra për t’u vendosur brenda në klub dhe nuk është aq e lehtë të gjesh zgjidhje të mira në dritaren e janarit. Ndaj kjo është arsyeja pse për momentin është diçka e qetë”, tha ai për “GIVEMESPORT”.
Klubi anglez i ka vënë një çmim të lartë kartonit të futbollistit shqiptar, por interesi për të nga ekipet e tjera të Premier Ligës nuk është zbehur. Ndaj ditët në vijim do të jenë shumë interesante për të kuptuar se çfarë drejtimi do të marrë karriera e Brojës.