Futbollistët largohen nga Kosova për Shqipërinë, reagon titullari i “Dardanëve”: Nuk është morale dhe profesionale…

Një çështje në Kosovë vazhdon të jetë fakti që disa lojtarë të “Dardanëve” zgjedhin për të luajtur me Shqipërinë. Pas Mirlind Dakut dhe Arbnor Mujës, dy të radhës janë Dion Berisha dhe Enis Shabani që janë thirrur me Kombëtaren Shpresa të Alban Bushit.

Për këtë gjë ka reaguar dhe titullari i Kosovës, Florent Muslija, për të cilin kjo gjë nuk i është dukur aspak morale dhe profesionale.

“Mbështetje dhe respekt për Kosovën në çdo kohë. Në mbështetje të Kosovës edhe kur isha keq, por edhe tani kur jam mirë. I thash “PO” Kosovës në momentin që isha pjesë e U20 dhe i ftuar te U21 i Gjermanisë. Kishte tendenca joshjeje edhe nga shumë kombëtare që unë të ndërroj mendje. Kosova është shteti jonë i cili u krijua me mund e sakrificë të jetrave, e FFK si pjesë e shtetit tonë po ashtu kaloi në izolim për afër tri dekada me sakrifica të shumë gjeneratave që ne ta gëzojmë tani këtë periudhë që ta përfaqësojmë shtetin tonë në të gjithë globin.

Edhe atëherë kombëtaren e Gjermanisë dhe as sot kombëtaren e Kosovës nuk e kam parë dhe nuk e shoh për promovimin tim personal. Por e kam parë dhe e shoh si krenari të përfaqësimit të shtetit të Kosovës dhe për t’i bërë të lumtur të gjithë qytetarët e vendit tim. Dhe tani kam një mesazh për të gjithë ata bashkëlojtarë të gjitha grupmoshave. Është e drejtë legjitime e secilit të vendosë me zemër, është po ashtu e drejtë legjitime të analizosh e të konsultohesh. Ama në momentin që vendos t’i thuash “PO” Dardanëve dhe shtetit tënd, nuk është as morale e as profesionale dhe nuk ka asnjë arsye të ndërrosh mendje për joshje të tjera”, ishin fjalët e para të Musliajas në rrjetet sociale.

“Kosova ka qëndruar afër meje përmes përfaqësuesit të saj në Gjermani që nga mosha ime 12-vjeçare. FFK të njëjtën gjë është duke bëtë në të gjithë Gjermaninë e Europën dhe kjo më detyroi të reagoj pasi gjithë ky mund e gjithë kjo përkujdesje me vite për të qëndruar afër talenteve nuk ishte dashur të ketë vend për dëshpërim. Të duam Kosovë, Dardanë me vepra”, përfundoi Muslija.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top