“Gabim të mendosh se Tirana është në presion para një derbi”, Daja: Kjo do të jetë një “Klasike Spektakolare”

Ilir Daja, trajneri i Dinamos ka folur në konferencën për shtyp para mediave, përpara takimit të nesërm me Tiranën në Vlorë. Daja beson se derbi premton shumë në lojë dhe ndaj do të jetë një “Derbi Spektakolar”.

Trajneri i mirënjohur që erdhi nga aventura në Kosovë ka falenderuar së pari klubin Flamurtari për mundësinë e zhvillimit të takimit në stadiumin e Vlorës. Iliri nuk sheh shumë diferenca tek ekipet dhe analizon pikat e forta të ekipit tjetër kryeqytetas. Ai shton faktin se do të ketë ndryshime në formacion, por që nuk mund t’i bëjë të ditura publikisht.

Së pari gjej rastin të falënderoj Flamurtarin dhe presidentin Sinan Idrizi që na hapën derën, pavarësisht se është pritëse Tirana në këtë ndeshje. Më në fund u gjet edhe stadiumi, kjo është pozitive. Jo pozitive është distanca e largët e tifozëve, por shpresojmë që vakumin që mund të krijohet nga mungesa e tifozëve të Tiranës dhe Dinamos, ta plotësojnë tifozët vlonjatë. Edhe ata e pëlqejnë derbin.Dinamo dhe Tirana kanë luajtur hapur këto javë dhe besoj se spektakli do të jetë i sigurt. Kemi mungesa, por do të mësohemi me to, sepse gjatë kampionati ne dhe kundërshtarët do të kemi mungesa nga dëmtimet dhe kartonët. Nuk justifikohemi me faktin që kemi mungesa, kemi punuar me lojtarët që kemi në dispozicion.Ndërrimet janë 5 tani dhe duhet të kemi një kontigjent më të madh për të përballuar ndeshjet. Ata që do të luajnë nesër, do të japin maksimumin. Derbi është një ndeshje për t’u fituar, por i ka të tre rezultatet brenda.Nuk ka diferencë të madhe mes ekipeve, Tirana në këto 8 javë ka vetëm një humbje dhe kjo do të thotë se duhet të djersijmë shumë. Duhet shumë kujdes që të marrim maksimumin. Duhet menaxhuar presioni i tepërt, sepse derbi ka më shumë presion se ndeshjet e tjera, edhe pse në fund të fundit vlera e pikëve është njësoj.Tirana më shumë presion? Jo, nëse nisemi nga ky fakt, bëjmë gabim. E thashë që diferencat e dy ekipeve nuk janë të mëdha. Presioni është për të dy ekipet. Është derbi i parë mes Tiranës dhe Dinamos dhe dy skuadrat do të mundohen të shkojnë drejt portës kundërshtare me forca të mëdha.Na pëlqen të shkojmë drejt fitores, por duhet të djersitim. Tirana ka tranzicione të forta në lojë, si negative, edhe pozitive. Kemi mungesa, por duhet t’i hedhim pas krahëve. Do ketë ndryshime, por nuk mund t’i bëj të ditura“, u shpreh Ilir Daja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top