Greva e heshtur e yjeve në Europë, lojtarët u bien “kryq” kombëtareve

Pothuajse si diçka paraprake, pak më shumë se tri javë më parë Rodrigo Hernandez (Spanjë, Mançester Siti) paralajmëroi  një greve të lojtarëve si një protestë për të denoncuar kalendarin e ngjeshur të futbollit, të cilin shumë klube sportive e cilësojnë si shkakun kryesor të dëmtimeve të shumë prej lojtarëve. Mesfushori i Sitit deklaroi para ndeshjes së parë të Ligës së Kampionëve këtë sezon se ishte “një opinion i përhapur” dhe vetëm katër ditë më vonë, në një ndeshje kundër Arsenalit, Rodrigo dëmtoi ligamentin e kryqëzuar dhe praktikisht ka mbyllur sezonin.

Dëmtimi i Rodrigos dhe deklaratat e tij të mëparshme hapën më shumë se kurrë debatin për kalendarin e stërngarkuar me ndeshje në një sezon në të cilin përveç ndeshjeve të zakonshme, kompeticionet europiane janë zgjatur edhe më tej. Si të mos mjaftonte shtimi i garave europiane, sezoni përfundon me Botërorin e ri për Klubet (14 qershor-13 korrik). Gjithë kësaj duhet t’i shtojmë edhe datat e FIFA-s, gjithashtu në qendër të vëmendjes pasi shumë futbollistë kthehen nga pushimet ndërkombëtare të shqetësuar në klubet e tyre.

Për shumë specialist, duke jenë pikërisht datat e FIFA-s, të parët që duhen shkurtuar në kalendarin e ndeshjeve. Në një vit pa Europian dhe pa Botëror, ndalesat apo pushimet ndërkombëtare janë të shënuara me të kuqe në kalendar për shumë klube të cilët do të donin që lojtarët e tyre të mos shkonin me kombëtaret e tyre. Kjo është arsyeja pse bie në sy se si disa yje ndërkombëtarë të futbollit kanë vendosur të ndalojnë, qoftë për dorëheqje të momentit, duke akuzuar për bezdi të vogla apo edhe për arsye familjare, gjatë pushimeve të tetorit.

SPANJA, BRAZILI DHE FRANCA – Dëmtimet shumë të rënda të Karvahal dhe Rodrigo kanë prishur planet e Luis de la Fuente për vitin e ardhshëm. Ndërsa trajneri kërkon alternativa për dy lojtarë kyç, trajnerit tashmë i është dashur të ndryshojë dy herë listën që ofroi të premten e kaluar. As Ferran Torres dhe as zëvendësuesi i tij Brajan Gil nuk do të luajnë ndeshjet e radhës me Spanjën për shkak të shqetësimeve fizike. Te Brazili, Vinicius pësoi një dëmtim në shpatull në ndeshjen kundër Vijarrealit që i shkaktoi një dëmtim të çervikales, sipas raportit mjekësor të Realit të Madridit dhe ai nuk udhëtoi me ekipin e tij, megjithëse gjithçka tregon se ai do të jetë gati për ndeshjen kundër Seltës menjëherë pas ndalesës së kampionatit.

Diçka e ngjashme ndodhi me Militaon, i cili udhëtoi për në Sao Paulo, ku mjekët e federatës braziliane, pas kryerjes së disa analizave, lejuan qendërmbrojtësin të kthehej në kryeqytetin spanjoll për t’u rikuperuar nga disa shqetësime të muskujve.

Më i çuditshëm është rasti i Mbapesë, të cilin Deshamp nuk e thirri për t’u rikuperuar nga një dëmtim i bicepsit femoral që e pengoi të luante në derbin kundër Atletikos së Madridit, por që nuk e pengoi Ançelotin të llogariste në të në dy duelet e ardhshme kundër Lilës dhe Vijarreal. Upamekano, nga ana e tij, nuk do të udhëtojë as me Francën pasi u ankua për disa shqetësime në ndeshjen e fundit të Bajernit kundër Frankfurtit. Për më tepër, vetëm shtatë ditë më parë Grizman bëri surprizën kur njoftoi tërheqjen nga kombëtarja në moshën 33-vjeçare. Sulmuesi i Atletikos së Madridit ishte një nga bastionet e mëdha të nënkampionëve aktualë të Kupës së Botës dhe askush nuk e priste lamtumirën e tij ndërkombëtare përpara Kupës së Botës 2026.

BELGJIKA – Vazhdimësia e Tedeskos po e lë kombëtaren belge si një djerrinë. Trajneri i “Djajve të Kuq” e ka ditur se nuk mund të llogarisë portierin Kurtua prej muajsh, kur ai tha se nuk do të kthehej te Belgjika për sa kohë që tedesko vazhdon të udhëheqë ekipin kombëtar. Ajo që trajneri nuk llogariste ishte dorëheqja momentale e dyshes tjetër shumë të rëndësishme, De Bryjne-Lukaku, të cilët kërkuan të mos shkonin me Belgjikën për ndeshjet e radhës. Të dy futbollistët, legjenda të kombëtares, janë mbi tridhjetë vjeç dhe duan të përfitojnë nga pauzat e kampionateve për të pushuar, ndonëse të dy kanë siguruar se duan të luajnë në Botërorin 2026. Por nuk mbaron me kaq, sepse për dy takimet e tetorit, Belgjika do të bëjë dhe pa mesfushorin e Aston Vilës, Onana, që ka lajmëruar për një dëmtim muskulor.

SERBIA – Rivali i Spanjës javën e ardhshme nuk do të mund të llogarisë në yllin e saj të madh, Dushan Vlahoviç. Sulmuesi i Juventusit do të mungojë në ndeshjet ndërkombëtare për arsye familjare, sipas disa mediave në vendin ballkanik. Një shpjegim që lë shumë dyshime për shkak të formës së shkëlqyer të sulmuesit të Juventusit (shtatë gola në nëntë ndeshje) dhe pasi edhe ai u la jashtë listës një muaj më parë.

HOLANDA – Përveç se ka Vlahoviçin në pushim, trajneri i Juventusit, Tiago Mota, do të mund të monitorojë nga afër edhe rikuperimin e holandezit Kopmeiners, i cili nuk e përfundoi ndeshjen ndaj Kaljarit dhe u zëvendësua në pjesën e parë. Nderin ia ka bërë dhe trajneri i Holandës, Kuman që e ka lënë pushim. Ai nuk ka grumbulluar as Bergvajn, të cilin ai vendosi se nuk do ta thërriste për faktin se ai u transferua në futbollin saudit. Megjithatë, trajneri i Holandës nuk ka komentuar për Depajin, i cili nënshkroi një muaj më parë për Korinthians, por mungesa e të cilit në listë nuk është justifikuar nga trajneri.

GJERMANIA – Pavarësisht se luajti 90 minuta në fitoren e Arsenalit ndaj Sauthemptonit, sulmuesi i “Topçinjve”, Kai Haverc, një nga lojtarët më të fortë në Premier League, gjermani pretendoi se kishte një dëmtim në gju që e detyruan Nagelsman ta zëvendësonte atë në skuadër nga i riu i Burkardt, nga Mainc. Tërheqja e Kros dhe largimet e Nojer dhe Myler pas “Euro 2024”-ës e ftojnë trajnerin në një rigjenerim të detyruar në ekipin gjerman.

UKRAINA – Pikërisht në momentin kur u rikthye në formacionin titullar për shkak të dëmtimit të Kurtua, Lunin pësoi një infeksion viral që e pengoi të bashkohej me ekipin e tij kombëtar, gjë që i dha leje për të munguar. Mungesa e tij nuk prish shumë planet e Ukrainës, ku titullar është Trubin pas ndeshjes së dobët hapëse të Lunin në Europianin e verës së kaluar.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top