Trajneri Xavi Hernandez kërkon më shumë alternativa në organikën e tij dhe së fundmi i ka paraqitur dy kërkesa urgjente drejtuesve të klubit. Tekniku i blaugranasve ka nevojë për një anësor të djathtë ku i preferuari është Joao Cancelo si dhe për një fantazist. Nëse për Cancelon, Barça duket në rrugën e duhur për ta transferuar duke qenë se portugezi është jashtë planeve të Manchester Cityn, planet për fantazistin nuk janë edhe aq pozitive.
Kjo sepse spanjollët synojnë Bernardo Silvën po nga radhët e Cityt, por ndryshimi këtë herë lidhet me faktin se mesfushori ofensiv është një nga pikat kryesore të Pep Guardiolës dhe anglezët nuk kanë ndërmend të humbin një “xhevahir” tashmë që sezoni startoi. Opsion për këtë sektor të fushës është Giovanni Lo Celso, që mund të transferohet në Spanjë nëpërmjet formulës së huazimit nga Tottenham.
Nga ana tjetër, Xavi ia ka bërë të qartë drejtuesve që të fokusohen dhe të transferojnë lojtarët që kërkon dhe të mos përqëndrohen te Joao Felix. Xavi jep “dritën jeshile” për portugezin vetëm nëse më parë përmbushen kërkesat e tij për një anësor të djathtë dhe për një fantazist. Në rast se këto skenarë të merkatos përfundojnë me sukses atëherë nga Barcelona pritet të largohen Lenglet, Dest dhe një mes Ansu Fati apo Ferran Torres.