Elseid Hysaj ka rifituar kuotat për ta nisur sërish titullar ndaj Spanjës. Krahu i djathtë i Shqipërisë duket si pika e dobët deri më tani me mbrojtësin e Lazios që ka qenë protagonist në të 4 golat e pësuar të kuqezinjve. Në këtë mënyrë, kuotat për Ivan Balliun janë rritur ndjeshëm teksa u provua si titullar në stërvitjen e pardjeshme.
Por, në seancën e fundit stërvitore braziliani zgjodhi sërish Hysajn në grupin e titullarëve duke dhënë një sinjal se mund të ketë fituar balotazhin. Megjithatë, mbetet ende stërvitja e sotme për të vënë pikat mbi ‘i’.
Ndërkohë, duken të sigurta 2 ndryshime në formacionin titullar. Ardian Ismajli pritet t’i marrë fanellën titullare Arlind Ajetit, ndërsa Armando Broja atë të Rey Manajt. Dyshja kanë qenë pjesë e grupit titullar në secilën prej seancave pas Kroacisë dhe sipas gjasave do ta nisin të tillë edhe ndaj Spanjës.
Pjesa tjetër mbetet e njëjtë me Qazim Laçin që ka bindur këdo pas performancës së fundit. Sa i pëkret Arbër Hoxhës, sulmuesi pritet ta nisë sërish nga stoli, por plani i Sylvinhos është që ta inkuadrojë më herët në pjesën e dytë. 25-vjeçari nga Istogu shkëlqeu ato minuta që luajti si ndaj Italisë, edhe kundër kroatëve, por Sylvinho e preferon hyrjen e tij nga stoli kur të jetë i freskët e kundërshtarët më të lodhur.
Në këtë mënyrë konfirmohet Jasir Asani si titullar në krahun e djathtë, ndërsa Bajrami në të majtin.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-3-3) – Strakosha; Hysaj (Balliu), Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Asani, Broja, Bajrami.
Trajner: Sylvinho