“I kam lënë golat për në europian”- Nga barazimi me Ishujt Faroe, bileta për në Gjermani dhe marrëdhënia me Sylvinho, rrëfen djemtë e Kombëtares! Mitaj: Isha i papërqendruar, e kisha mendjen tek festa pas ndeshjes

Disa prej futbollistëve të Kombëtares, nga kapiteni Berat Gjimshiti, tek mbrojtësat Elseid Hysaj e Mario Mitaj, si edhe sulmuesi Myrto Uzuni kanë rrëfyer emocionet ne kualifikimit në Euro2024.

Në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, Myrto Uzuni ka komentuar barazimin me ishujt Faroe më 20 nëntor në “Air Albania”.

I pyetur nga kryeministri Rama se pse nuk shënoi gol në ndeshjet e fundit, ai u shpreh se “I kam lënë për në evropian.” Ndërsa Mario Mitaj u shpreh se ishte pak i shpërqënduar  pasi e kishte mendjen tek festa.

“Po, e vërtetë dhe kam bërë dhe gabime, po një herë në 5 ndeshje s’ka gjë. Gabime bëhen. Uzuni bënte lëvizje, po unë mbrëmë isha pak i papërqendruar. E kisha mendjen tek festa pas ndeshjes dhe…”, tha Mitaj.

Sa i përket marrëdhënies me Sylvinho, Elseid Hysaj u shpreh: “Ardhja e trajnerit të ri, pozitiviteti që na ka dhënë trajneri dhe vetëbesimi i gjithë lojtarëve, na ka bërë të rritemi dhe ne, pas Polonisë, kur luajtëm atje, të gjithë po flisnim me njëri-tjetrin që me të vërtetë mund t’ia dalim këtë vit sepse e pamë që dimë të luajmë, kemi kualitet, kemi lojtarë, po nuk qe njëri, futet tjetri që i jep një dorë dhe është ndoshta edhe më mirë sesa tjetri që ishte në fushë dhe besoj që kjo ka qenë pika më e fortë e jona që ka ndryshuar”.

Intervista e plotë:

Rama: Në episodin 11 të sezonit 2 të podkastit “Flasim’’, normalisht duhet të kisha këtu 11, po një pjesë fluturuan, një pjesë janë përpara fluturimit dhe i falënderoj shumë që erdhën për një bisedë lidhur me një arritje historike, kombëtarja kuq e zi në Evropianin e 2024.

Jam  këtu me 2 nga 4 kapitenët dhe me 4 të tjerë pak më veteranë, pak më të rinj të këtij ekipi kombëtar që, jo vetëm ka arritur një rezultat fantastik, duke e çuar Shqipërinë për të dytën herë në Europian – e sa për dijeni, unë 10 vjet këtu, 2 herë në Evropian ju, – por përveç kësaj, ka ofruar një lojë që për hir të së vërtetës, e pranojnë të gjithë, është diçka e re për kombëtaren shqiptare.

E vërteta është që përpara se të nisnim bisedën, po i pyesja pak çunat për rezultatin 0-0 me Ishujt Faroe. Natyrisht që do kishte qenë e jashtëzakonshme sikur të ishte një fitore, por mbase tani kanë filluar të na marrin shumë seriozisht edhe sidomos këto skuadrat që në letër janë më të lehta, në futboll s’ka më të lehtë, marrin masa e mbyllin më shumë. Po këtu s’jemi për t’u mbyllur, këtu jemi për t’u hapur.

Edhe me lejen e dy kapitenëve fjalën i pari e merr Myrto Uzuni që është një kapiten pa fashë dhe pa titull, por që realisht prej disa vitesh tanimë, e ka fituar statusin e monumentit të ekipit kombëtar.

Uzun po si s’na bëre një gol dje me Faroen?

Myrto Uzuni: I kam lënë golat për në evropian. Ishte pak  vështirë dje pasi një ekip si Ishujt Faroe mbroheshin me forca të shumta në fazën defensive dhe ishte e vështirë që të çaheshin pasi me ekipet më të mira në letër luajmë më futboll të hapur,  kurse ekipet qe janë më të dobëta në letër luajnë një lojë të mbyllur, dhe është shumë e vështirë te depërtosh në atë zonë, normal.

Rama: Po ata në fakt, edhe Polonia edhe Çekia hoqën keq me ata ?

Myrto Uzuni: E kanë bërë golin me penallti në minutën e ’70 a diçka e tillë.

Rama: Të dyja?

Elseid Hysaj: Të dyja

Rama: Ok, tani nuk ka rëndësi. Ndeshja ka kaluar. Vendi i parë në tabelë është vulosur. Shqipëria e para në një grup eliminator është diçka që  ju e kishit imagjinuar apo?

Elseid Hysaj: Kemi thyer rekorde këtë herë. S’e kemi pritur as ne që do arrinim në një grup si ky, ne vend të parë me kualifikimin po siç dihet, jemi të gjithë  këtu mungojnë dhe disa vetë, por kemi treguar që kemi më shumë forcë, për të bërë dhe më shumë, kështu që duhet të jemi të kënaqur e të vetëdijshëm se mund të arrijmë edhe më shumë se sa kaq.

Rama: Aty në tribunë me presidentin, e kemi kështu si dobësi atë fashën e mbrojtjes majtas edhe po i thosha dje, se deri dje ne çdo ndeshje i thosha, “po mirë mo, ky si ka mundësi që nuk humb një top ky njeri? I vjen topi dhe sikur është në plazh, as ka emocione, as ka … Po u desh me prit Faroet që të humbje ca topa.

Mario Mitaj: Po, e vërtetë dhe mbrëmë kam bërë dhe gabime, po një herë në 5 ndeshje s’ka gjë. Gabime bëhen.

Rama: Se ti më duket ke emocione kur s’duhet të kesh dhe s’ke emocione kur duhet të kesh. Po ça ishte ajo? S’ishe i përqendruar plotësisht a s’të pëlqente Uzuni atje majtas, a si ishte puna?

Mario Mitaj: Jo, Uzuni bënte lëvizje, po unë mbrëmë isha pak i papërqendruar. E kisha mendjen tek festa pas ndeshjes dhe…

Rama: Gjimshit, ti je një veteran tashmë, mund të quhesh veteran?

Berat Gjimashiti: Po, besoj se po. Po më i vjetri nuk jam këtu brenda. Veseli (Frederik Veseli) është më i vjetër. Po, veteran dhe unë jam.

Rama:  Ti deshe të ndajë një çikë atë dhembjen e pleqërisë me Veselin po…

Berat Gjimshiti: Po, se më the veteran , u ndjeva dhe unë pak më i vjetër kështu që …

Rama: Sa vjet u bënë që luan me kombëtaren?

Berat Gjimshiti: Po që prej 2014, domethënë 9 vite.

Rama: Ti ishe dhe Evropianin tjetër?

Berat Gjimshiti: Në Evropian nuk isha, po në kualifikime.

Rama: Po pra, në atë grupin? Pse s’të morën në Europian, ishe i vogël atëherë?

Berat Gjimshiti: Po ishte një moment që kur kam qenë, kam luajtur në Zvicër, 22 vjeç , isha i ri, pastaj 21, 22..

Rama: 22? Pse 20 është ky tani?

Berat Gjimshiti: Kohë tjetër tani. Isha nga Zyrihu që shkova në Atalanta në Itali, kështu që ishte e vështirë për të mësuar dhe gjuhën, edhe taktikën e futbollit italian dhe nuk kisha ndeshje, nuk luajta fare, luajta vetëm në 3 ndeshje në 6 muaj, pastaj erdha tek kombëtarja dhe për grumbullimin para Europianit dhe vendosi trajneri De Biasi atëherë, që nuk isha në formë dhe nuk më merrte, kështu që e pranova. Puna vazhdon, ecën përpara dhe s’ka asgjë tjetër.

Rama: Po atje me Atalantën pastaj e vulose personalitetin?

Berat Gjimshiti: Po, sigurisht. Në fillim kisha vështirësi se isha në huazim 1 vit, dy vjet, pastaj u riktheva dhe sigurisht ekipi ecte shumë mirë me Champions League, Europa Leauge apo me gjera të tjera ne finalet e Kupës së Italisë, ecte shumë mirë dhe sigurisht, nëse ecën ekipi mirë dhe ti do të bësh mirë dhe është dhe më e thjeshtë.

Rama: Po sa ka ndikuar trajneri se thonë që është profesor futbolli, në kuptimin që i ndjek lojtarët nga afër, i mëson …

Berat Gjimshiti: Tek unë? Ka ndikuar shumë. Ka dhënë vetëbesim te jashtëzakonshëm kështu që.. Në fillim kisha pak vështirësi po prapë, pastaj kur e pa që kishte besim tek unë, besoj që ishte më e thjeshte dhe për mua, kur e pranoi që jam lojtar për atë ekip, kështu që besoj ka ndikuar shumë, sepse kam mësuar shumë nga ai si në taktikë, si në mentalitet. Besoj ishte shumë e rëndësishme edhe për mua.

Rama:  Ju keni pasur një lloj shansi te veçantë me dy trajnerë siç thonë, se unë nuk i di nga afër, por janë shumë skrupulozë me rritjen e lojtarëve.

Elseid Hysaj: Të dy janë “të sëmurë” besoj për taktikë. Shumë të lodhshëm besoj, por bëra dhe unë 8 vjet që jam veç me 1 trajner që kam dhe ndonjëherë më thonë dhe këta lojtarët e Lazios “po si e duron 8 vjet‘’? I them unë, po duhet te durojmë  se u  bënë 2-3 vite, po u bënë 3 vite aty dhe se di sa vite do bëjmë, po normal që i besoj që janë një ndër 2-3 trajnerët në Itali që kanë ndryshuar shumë skuadra dhe mentalitetin e lojës. Problemi është që ty të kemi tifoz me skuadër tjetër..

Rama: E, mua më keni pak të vështirë në këtë periudhë, megjithatë për hir të së vërtetës ju ndjek dhe gëzohem shumë. Duke qenë se ndjek një çikë këto ndeshjet e kampionatit italian dhe gëzohem shumë që luani, që vlerësoheni. Dhe ato notat përgjithësisht i merrni të mira dhe aty te “La gazeta dello sport’’, kështu që ne jemi shumë të lumtur me këtë, por në ndërkohë ka gjithmonë një numër gjithmonë e më të madh shqiptarësh të vegjël që po stërviten  për ekipet e moshave në Evropë, por në Itali sidomos ishe një numër impresionues, rreth 15 mijë djem shqiptarë ose përgjithësisht të lindur tanimë nga prindër që kanë shkuar më përpara aty ose dhe që kanë ardhur më vonë që janë të regjistruar në lëvizjen futbollistike italiane nëpër skuadra.

Elseid Hysaj: Besoj që është edhe kjo, që janë duke luajtur shumë shqiptarë në seria A dhe në kampionate të tjera dhe njerëzit ose trajnerët, presidentët po besojnë tek ne  se dikur me të vërtetë ka qenë shumë e vështirë të futej një shqiptar në Itali se ishte si puna e ekstra komunitetit, pa letra. “Po marrim një brazilian para shqiptari’, se gjithmonë na kanë mbajtur si shtet i vogël. Lojtarë nuk është se kemi nxjerrë shumë, kështu që gjithmonë kemi pasur të njëjtat probleme. Por tani vërtete po dëgjohemi dhe unë po dëgjoj gjithmonë shqiptarë të rinj që dalin. “Po ky nga doli”! Por gjithsesi po rriten me të vërtetë shumë edhe ajo është e bukura. Për këtë na ndihmojnë dhe të rinjtë në Europian, lojtarët e rinj që kanë ardhur.

Rama: Ka penguar kjo e ekstra komunitarëve sepse ngushton hapësirën për qytetarët që janë jashtë BE dhe në fakt kemi bërë një bisedë edhe me qeverinë italianë që ta ndryshojë këtë – federata, kuptohet, – por me ndihmën e qeverisë sepse janë dy a tre vende në Europë që i kanë futur shqiptarët në atë grupin e komunitarëve, kështu që mund të luajnë sa shqiptarë të duan ose që kur blejnë lojtarë shqiptarë nuk iu ngushtohet hapësira e blerjeve për ekstra komunitarët kështu që shpresoj. Franca e ka këtë, Greqia e ka, nuk e di nëse mes Spanjës dhe Gjermanisë, nuk jam i sigurte, por rëndësi ka që kjo është e mundshme dhe shpresoj që ta hapim këtë dhe të kemi më shumë lojtarë shqiptarë që do jenë pastaj në ekipe. Për shembull te Lecja është Ramadani dhe ai djali tjetër dhe për shkak se janë ekstra komunitare nuk luajnë dot të gjithë përnjëherë.

Elseid Hysaj: Me të vërtetë që është problem se nuk lejohet të luajnë më shumë se tre lojtarë. Nuk lejohen ekstra komunitare në fushë.

Rama: Po pra po është braziliani, është uruguajani, është tjetri…

Elseid Hysaj: Shumë problem është. Po gjithë të rinjtë kanë dy pasaporta kështu që ndihmojnë. Unë për shembull kur luaj nuk quhem më ekstra komunitar se kur kam ikur, kam ikur i vogël dhe kam marrë dokumentet italiane kështu që nuk quhem ekstra komunitare. Unë kam 13 vjet në Itali, po dola 6 muaj nga Italia mund të digjen letrat, kthehem ekstra komunitar prapë.

Rama: Italianët nuk e kanë dopio nënshtetësinë.

Elseid Hysaj: Po unë mund ta marr sepse unë e kam edhe gruan italiane, por akoma se kam marr, jam me pasaportë shqiptare

Rama: Ti se ke marrë se ke përtuar të bësh letrat. Çfarë faji të kemi ne për këtë pikë? Po ti e ke marrë pasaportën italiane apo jo?

Berat Gjimshiti: Jo sepse e kam zvicerane kështu që.

Elseid Hysaj: Uzuni është spanjoll.

Rama: Uzuni është spanjoll me origjine hungareze. Vesel, ti e ke ndjekur kombëtaren prej shumë kohëve.

Frederik Veseli: Janë bërë 8 vite, më saktë në 15 nëntor dhe kisha dhe ditëlindjen në datën 20, por janë bërë shumë vite, po. 8 vite nuk janë pak në karrierën e futbollistit.

Rama: Erdis ti që e ke ndjekur qysh në atë kohë, çfarë ndryshimesh sheh midis më përpara dhe tani me trajnerët e rinj me grupin e ri?

Frederik Veseli: Po në fakt unë isha në Europian, por nuk bëra kualifikime. I ka bërë të gjitha Berati dhe ia mora vendin unë. Më seleksionoi mua trajneri. Dhe doja të thoja para Beratit kur çdo here që vjen kjo bisedë duket sikur ka një elefant në dhomë për mua, por fakti është që futbolli ka tendenca dhe ndryshon shumë, them dhe për ata që shqiptarë që kanë kuotë në Europë. Ndryshime ka pasur shumë se kemi pasur disa momente shumë të vështira. Mbaj mend kur kemi humbur dhe me Luksemburgun për shembull që nuk pranohej nga askush. Tani është moment shumë i bukur dhe mendoj që duhet ta shfrytëzojmë këtë moment, të ecim përpara, mos ta bëjmë një hap para dhe të kthehemi dy hapa mbrapa. Se kualifikimin e kemi marrë dhe normal duhet të shkojmë dhe në Gjermani ta tregojmë veten, t’i tregojmë dhe gjithë botës se me të vërtetë jemi të fortë si skuadër, si popull dhe si tifozeri shqiptare, unë e mbaj mend në Francë është i jashtëzakonshëm. Të gjithë shokët e mi ma kanë lavdëruar tifon e shqiptarëve në Francë dhe besoj edhe në Gjermani kanë për t’u bërë shumë. Dhe puna jonë është të bëhemi si pasqyrë, tifon e shqiptarëve në fushë t’ia kthejmë me performanca të mira dhe mbas Europianit të ecim përpara dhe të mos kthehemi mbrapa.

Rama: Unë jam i bindur që do jetë më shumë se në Francë. Në Gjermani janë më shumë. Më shumë se janë edhe të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe të Maqedonisë. Janë shumë dhe mezi po presin të bëjnë rezervimet e biletave sapo të dalin grupet. Do jetë shumë kuqezi prania në stadiume. Jam i bindur për këtë. Na iku portieri parë, na iku portieri dytë, morëm portierin e tretë. Si është të stërvitesh me këta të gjithë?

Elhan Kastrati: Unë që dy vjet jam pjesë e kombëtares dhe të kesh Berishën dhe Strakoshën dy portierë me eksperiencë ndihmon të rritesh. Për mua është një vitrinë shumë e rëndësishme se eksperienca që ka Berisha dhe Strakosha, kërkoj të marr nga ata dhe të rritem më shumë në futbollin që bëj këtu në Kombëtare.

Rama: Rritet ky?

Berat Gjimshiti: Sigurisht që po, besoj që ka treguar vlerat e veta ndaj është thirrur dhe në kombëtare kështu që ..

Rama: Mos më bëj diplomaci

Berat Gjimshiti: Gjuajtjet i priti kështu që….

Rama: Ti po ta kesh prapa këtë je i qetë apo je i tmerruar?

Berat Gjimshiti: Sigurisht se deri tani e kam pasur … kështu që shumë mirë jam.

Elseid Hysaj: Ndonjëherë këta portierë vënë dhe doreza pa duar brenda

Rama: Se kjo loja me këmbë tani për portierët është bërë  …

Elhan Kastrati: Është shumë e rëndësishme këto kohët e fundit, shumë trajnerë kërkojnë si gjë kryesore, por për mendimin tim trajneri në radhë të parë duhet të presë e pastaj të jetë i mirë me këmbë.

Rama: Ja dhe përgjigjen.

Rama: Ti luan me Lokomotivën e Moskës? Kush të çoi deri atje apo të morën “hajde se po e çojmë në një vend se s’kemi ku e çojmë”.

Mario Mitaj: Unë kam dashur të iki nga Greqia se s’kam luajtur dhe jashtë ka qenë e vetmja shpresë që kam pasur, kanë pasur mundësi të më blejnë.

Rama: Po ti si e ke pasur përpara, kur shkove në Greqi apo linde atje?

Mario Mitaj: Unë kam lindur dhe jam rritur në Greqi

Rama: Pra kanë qenë prindërit përpara.

Mario Mitaj: Po dhe kam jetuar gjithë jetën time në Greqi.

Rama: Ku?

Mario Mitaj: Në Athinë. Pastaj vazhdova me një ekip të vogël. Kur isha 11 vjeç bëra provimet dhe më morën. Pastaj me moshën u bëra në ekip të parë. Në ekip të parë isha dy vite.

Rama: Sa vjeç ishe?

Mario Mitaj: 17 vjeç firmosa kontratën e parë. Vitin e parë kam luajtur 13 ndeshje, gjë e madhe për mua. Vitin e dytë kanë ndryshuar trajnerët, skam luajtur shumë, kam qenë me ekipin e dytë. Kombëtarja më ka ndihmuar shumë më ka rritur vlerat. Vitin e tretë ika për në Rusi.

Rama: Si është kampionati atje?

Mario Mitaj: I fortë shumë. Ka shumë skuadra të forta. Para luftës ka qenë kampionati i 6 më i fortë në botë. Ky është kampionat i fortë shumë.

Rama: Edhe sezonet tani janë ndryshe. Domethënë, tani periudha e dimrit është pushim.

Mario Mitaj: Ata e kanë pushim gati një muaj, në janar është faza përgatitore dhe në mars vazhdon kampionati.

Rama: Uzuni, ti me Granadën?

Myrto Uzuni: Ne nuk kemi fare pushim.

Rama: Ti je plazh- futboll, futboll-plazh?

Myrto Uzuni: Vetëm 5 ditë kemi në pushimet e dimrit pasi kampionati është shumë intensiv, edhe në Itali edhe në Spanj. Nuk ka shumë pushime. Pushimet janë në verë.

Elseid Hysaj: As 5 ditë nuk e kemi ne.

Myrto Uzuni: As një ditë nuk kemi këtë vit dhe mendoj se në datë 1 më duket se na kap duke luajtur. 1 janar ose 31 dhjetor.

Rama: Si do ia bësh për Natën e Vitit të Ri apo do flesh gjumë?

Myrto Uzuni: Do jem në fushë.

Rama: Tani dua t’iu pyes diçka për këtë sepse kam përshtypjen që atmosfera brenda për brenda Kombëtares është shumë e mirë, si atmosferë flas e grupit, por përtej atmosferës, se ju keni pasur disa trajnerë në Kombëtare, çfarë ka ndryshuar në metodë të stërvitjes, të komunikimit, të mënyrës sesi kërkohet loja sepse realisht, është diçka shumë e këndshme ta shohësh Kombëtaren sepse, e para njëherë, nuk është më ai tmerri “Po afrohet minuta ’80 dhe erdhi goli” për të dalë të gjithë me kokën ulur nga stadiumi. Ishte tmerr ajo, ishte aq tmerr sa unë vendosa në një moment dhe thashë “Unë nuk vij më në stadium se kjo është bërë e tmerrshme”, dhe nuk shkoja. Përgjithësisht nuk kam shkuar, pavarësisht se thoshte Presidenti “Hajde, hajde”. Pastaj, kur kam parë ndeshjen në televizor në Poloni që u rrahëm me një gol atje që mund të ishte evituar, më ka bërë një përshtypje shumë më të mirë dhe thashë “wow, këta luajnë futboll gjithsesi”?

Elseid Hysaj: Ka ndryshuar shumë sepse kam thënë gjithmonë, nëse një skuadër fiton, merr vetëbesim, merr siguri dhe kjo besoj ka qenë një ndër pikat më të forta që kemi pas në këtë Kombëtare. Edhe ardhja e trajnerit të ri është me shumë pozitivitet, të jep siguri në vetvete, të bën të besosh që ti je lojtar i fortë dhe mund të bësh më shumë sesa herët e tjera. Siç e the dhe ti, ti ke ardhur në stadium dhe ke ikur në minutë të ’70, por ne qysh në minutë të parë e kemi pasur këtë kokën duke na plasur sepse nuk po ecte mirë në ato vite që me të vërtetë besoj kanë qenë vitet më të këqija që kemi kaluar ndonjëherë, në Kombëtare dhe ne vetë. Njerëzit nuk na donin, as familjarët tanë nuk na donin në një moment. Ardhja e trajnerit të ri, pozitiviteti që na ka dhënë trajneri dhe vetëbesimi i gjithë lojtarëve, na ka bërë të rritemi dhe ne, pas Polonisë, kur luajtëm atje, të gjithë po flisnim me njëri-tjetrin që me të vërtetë mund t’ia dalim këtë vit sepse e pamë që dimë të luajmë, kemi kualitet, kemi lojtarë, po nuk qe njëri, futet tjetri që i jep një dorë dhe është ndoshta edhe më mirë sesa tjetri që ishte në fushë dhe besoj që kjo ka qenë pika më e fortë e jona që ka ndryshuar.

Myrto Uzuni: Është e vërtetë; ka më shumë konkurrencë tani dhe nëqoftëse nuk është një në ditën e tij, mund ta zëvendësojë tjetri pa problem plus dhe sesi i analizon trajneri ndeshjet, pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit, por siç e tha dhe Hysaj, që kur fiton ndryshon atmosfera, je më i lumtur.

Frederik Veseli: Unë besoj është dhe një aspekt që nuk nënvlerësohet, domethënë, kemi qenë në stërvitore të re, çdo ditë kur shkojnë në stërvitje jemi të lumtur, është fusha e mirë dhe këto kushtet si lojtarë të bëjnë të japësh më shumë edhe si grup tani jemi në Tiranë, vijnë dhe familjarët të na shikojnë, rrinë të gjithë bashkë tek bari, janë dhe disa tifozë që na kërkojnë foto, na kërkojnë disa firma dhe kjo besoj është një aspekt që na shtyn edhe më shumë të jemi bashkë, i takojmë dhe familjarët e njëri-tjetrit dhe çdo ditë nxitojmë të shkojmë edhe tek fusha të bëjmë stërvitje, dikush rri edhe më shumë të bëjë terapi, dikush vjen më herët me furgon dhe këto gjëra të vogla e bëjnë diferencën sepse detajet besoj që gjithmonë janë shumë të rëndësishme për të bërë diferencën. Nga momenti që erdhëm këtu ndryshoi diçka dhe kjo besoj nuk nënvlerësohet.

Rama: Tani kemi në plan të bëjmë edhe hotelin aty sepse ju keni fushat tek Federata e re që është bërë godinë shumë e bukur, edhe ai kompleksi po merr formë, por ka dhe dy-tre elementë të tjerë që duhen plotësuar dhe një nga elementët është hoteli, hoteli për ekipin kombëtar që të jetë komplet gjithçka e realizuar brenda për brenda aty që të mos ketë lëvizje nga stërvitja për në hotel. Edhe për këtë që thua, për atmosferën familjare që krijohet, por edhe normalisht siç i kanë dhe kombëtaret serioze siç jeni ju tani, kombëtare shumë serioze, që meritoni gjithë vëmendjen dhe gjithë mbështetjen. Gjimshiti, po për ty, çfarë ka sjellë ndryshim….

Berat Gjimshiti: Djemtë gjërat më të rëndësishme i thanë kështu që besoj se bashkëngjitëm me këto, por sigurisht që, siç thanë, fitoret dhe gjithë këto gjërat e japin vetëbesimin më të madh, besoj fitoret janë gjëja më e rëndësishme, lumturia dhe besoj si grup, grupi bën diferencën. Të them këtë edicion sepse besoj tashmë 9 vite që jam këtu nuk kam parë një grup që rri kaq shumë bashkë, që ndjehen mirë me njëri-tjetrin. Më parë ka pasur grupe, kemi qenë grup, por nuk ka qenë kaq e afërt dhe besoj, e tha dhe Veseli, një aspekt shumë të mirë, kur vijnë familjarët e tjerë, për shembull vijnë prindërit e mi, çunat vijnë kapërcejnë dhe takojnë familjarët e mi dhe e thonë “Sa të sjellshëm qenkan këta djem”.  Prandaj, besoj që është ajo gjë shumë e mirë dhe shumë e bukur që na çon përpara.

Rama: Unë, në fakt, jam impresionuar shumë nga trajnerët në sensin e kam pasur në një bisedë këtu, në sensin e metodës së punës së tyre. Për shembull, kur më thanë që shohin gjithë ndeshjet tuaja që bëni çdo të dielë nëpër kampionate që nga Seria A që është më kollaj, si të thuash, deri në kampionate që janë më larg dhe pastaj i diskutojnë me ju detaje të caktuara, momente të caktuara të aktivitetit atje, pastaj puna me videot dhe ndërkohë edhe presidenti është shumë i impresionuar nga puna e tyre që hapin derën e Federatës dhe mbyllin derën e Federatës, në kuptimin që rrinë pa orar atje, duke analizuar videot dhe duke komunikuar me ju.

Elseid Hysaj: Ajo është, siç e dinë të gjithë, po nuk punove fort nuk arrin askund. Kështu që, duhet të punojnë si trajneri, siç kemi punuar dhe ne të gjithë djemtë…

Rama: Për mua që nuk jam i fushës, mund të them që në Shqipëri janë, ose më saktë, mes shqiptarëve janë nja 10 milionë trajnerë, por unë nuk i hyj.. kam pranuar me veten që nuk hyj tek 10 milionë trajnerët kështu që nuk e kuptoj këtë punë, në kuptimin teknik. Domethënë, nuk jam si… që thotë “Hë mo jepe, jepe çoje”. Ose si gjithë të tjerët që të rrish në tribunë, se ju keni atë fatin e mirë që rrini në fushë, por të rrish në tribunë dhe të shohësh, juve ju vijnë ndonjëherë ndonjë zë nga larg “Pse nuk e dhe, jepe atje, po bëje, pse e gjuajte ashtu” por ngaqë më pëlqen shumë sporti, në aspektin strategjik, në aspektin e organizimit të skuadrës, në aspektin e asaj luftës psikologjike që bëhet përpara ndeshjes, mes lojtarëve, mes trajnerëve, me komunikimin mbrapa e të tjerë dhe mundohem të mësoj nga këto dhe realisht, më ka pëlqyer shumë mënyra sesi e tregojnë ata atë punën dhe si punojnë me ju dhe si i japin rëndësinë kryesore kësaj që ju të gjithë këtu e thoni, që nëse nuk krijohet ndjenja e familjes dhe përkatësisë që të gjithë bashkë jemi pjesë e një familjeje dhe këtu është interesi i përbashkët i familjes, nuk është thjesht “E bëri Uzuni golin, u gëzua Uzuni, por ne të tjerët humbëm” por ndërkohë, nuk ka rëndësi, rëndësi ka skuadra. Ndërkohë më bëri përshtypje edhe diçka tjetër, përshtypje e bukur domethënë kur mbaroi ndeshja, kur dolët atje një pjesë e konsiderueshme e juaj ishit me kalamaj nëpër krah ishte pamje shumë e bukur. Po si është jeta familjare jo për ju, po për gjysmën tjetër, për gjysmën më të mirë, për bashkëshortet. Sa kohë keni ju të shpenzoni me familjet, fëmijët.

Berat Gjimshiti: Me thënë të drejtën kam shumë respekt për bashkëshorten sepse sidomos , po them,  kërkoj falje se besoj në atë aspektin tim, edhe Hysaj mund të flasë, sepse të tjerët janë pa fëmijë. Se ne jemi shumë me Europa League, Champions League, kështu që jemi çdo dy ditë nëpër hotele. Dhe besoj është shumë e rëndësishme të kesh një pjesë tjetër, si bashkëshortja që ta përballojë këtë gjë, sepse është shumë kohë vetëm. Dhe ne kur kthehemi o jemi në stërvitje 5 – 6 orë, pastaj kthehemi dhe nuk kemi aq shumë kohë me u marrë me fëmijët.

Rama: Po kam përshtypjen që, se pak e di dhe nga vetja, po ka përshtypjen edhe kur je, edhe kur je në shtëpi, mendërisht domethënë nuk je plotësisht, sepse vazhdon xhiron topin në kokë kam përshtypjen.

Elseid Hysaj: Është. Siç tha dhe Gjimshiti, është problem me thënë të drejtën. Se unë kam bërë tre fëmijë kështu që është pak më rrëmujë që ta gjejmë një kohë. Edhe si the edhe ti kur shkon në shtëpi edhe si gjen, edhe kur kthehesh pas 5 orësh  ndonjëherë na bie të kthehemi edhe në tre të natës, katër të mëngjesit edhe duhet e i ra telefonit dhe i thua: – Grua ma hap derën se erdha. Ata flenë gjumë.

Rama: Po ti nuk ke çelës.

Elseid Hysaj: S’mbaj çelsa unë, kam gruan. Edhe kur arrij në shtëpi pas stërvitje që rrijë me fëmijët pushim, filloj e mendoj për ndeshjen tjetër që  ke për të luajtur. Sepse në të vërtetë kur shkon në shtëpi ose shef ndonjë ndeshje në televizor të ndonjë skuadre  tjetër. Gjithmonë e ke një pjesë të futbollit. Plus që djali im, tani që është bërë 7 vjeç është bërë një tifoz i paparë. E kam si trajner të dytë në shtëpi kur shkoj. Pse nuk bërë gol? Pse luajte keq? Pse luajte mirë? Çfarë bërë? Dhe duhet me fillu me ia shpjeguar edhe atij të gjitha çfarë mund të ndodhin, çfarë s’mund të ndodhin. Pastaj kaloj te gruaja. Pra, janë gjëra që janë edhe bukur se ke diçka kur shkon në shtëpi pas stërvitjes, ose nëse je mërzitur. Kam patur momente që, në të vërtet kam pas momente në futboll që edhe unë jo gjithmonë i kam patur festa. Gjithmonë kur e ke një njeri me fol në shtëpi, si familje, gruaja, fëmijët ose diçka ta heq atë mërzinë që ke edhe të jep pozitivitetin që thua: – Ok, jeta kështu e ka duhet ta kalosh këtë fazë sa më shpejt, sepse gjithmonë fazat e këqija, gjëja kryesore është ta kalosh sa ma më shpejt. Edhe pse është e keqe duhet ta kalosh, sepse përndryshe të zgjatet shumë dhe bëhet me të vërtete e vështirë pastaj.

Rama: Tani në fund fare dua t’iu pyes për preferencat. Uzun ti kë preferon të kesh në grup? Kë do me rraf? Kujt do me i bërë gol?

Myrto Uzuni:  Me thënë të drejtën Anglisë, sepse kemi luajtur kundër Anglisë dhe kam pasur një mundësi dhe e kam shpërdoruar. Dhe ajo ka qenë një momentet e mia.

Rama: Se mos na ndodh që na bie Anglia që të bësh gol ti dhe të hamë tre të tjera pastaj. Kë do në grup më thuaj? Janë 4, Grupet janë me 4 skuadra?

Myrto Uzuni: Më thënë të drejtën Portugalinë do të doja në grup pasi ..

Rama: Po Portugalinë, pastaj.

Myrto Uzuni: Pastaj tre më të dobëta.

Rama: Po hë mi thuaj

Myrto Uzuni: Po të marrim Portugalinë, po fus. Do të doja dhe Italinë me thënë të drejtën, të luaja edhe kundër Italisë.

Elseid Hysaj: E bëri të dobët Italinë

Myrto Uzuni: Jo nuk është se është e dobët

Elseid Hysaj: Fut Anglinë, Spanjën, e bëri grup ferri

Myrto Uzuni: … ne luajmë edhe më mirë me ekipe më të forta në letër dhe janë ndeshje më të bukura për t’u luajtur

Rama: ka të drejtë se Italia u kualifikua pas nesh. Pastaj ti kë do në grup?

Frederik Veseli: Spo di, si të bjeri shorti për ne është një domethënie

Rama: Jo shortit nuk ke çfarë i bënë ti se do të bjeri. Me kë do kishe qejf të loznim përshembull

Frederik Veseli: Portugalinë kam patur qejf ta kem në grup, edhe Italinë kisha patur shumë qejf. Pasi isha në Itali shumë vite edhe pastaj në grup të fundit Zvicrën edhe njëherë tjetër. Zvicra është në grup të fundit? Shkon mirë edhe kundër Zvicrën me luajtur përmembull, sepse unë kam lindur dhe rritur në Zvicër. Edhe ta marrim hakmarrjen nga Europian 2016.

Rama: Gozhdë e kam atë. E kam parë në stadium atë ndeshje. Gozhdë e kam.

Frederik Veseli: Me marr hak nga ajo ndeshje dhe po siç the edhe ti më herët skuadra

Rama: Kam përshtypjen që ishin më të mirë, kishte ekip më të mirë atëherë se çfarë ka tani Zvicra

Frederik Veseli: Po po shumë më mirë

Berat Gjimshiti: Ka pasur ndryshim e ka ardhur tani brezi i ri. Pra janë lojtarë më të ri tani.

Rama: Ai ishte ekip shumë i mirë ….

Berat Gjimshiti: Po ka qenë ekip fantastik

Rama: Ishte ekip shumë i mirë. Po ti kë do?

Berat Gjimshiti: Unë nuk kam preferencë me thënë të drejtën

Rama: Mirë, unë po të pyes kë do?

Berat Gjimshiti: Të them të drejtën nuk e kam menduar kush do të na bie. Një ndoshta të them Gjermania, vetëm t’i tregojmë në Gjermani që kemi më shumë tifozë sesa ato.

Rama: Vallaj e di që kjo është e realizueshme.

Berat Gjimshiti: Po prandaj po them. Të bëjmë më shumë zhurmë sesa ata që janë shtëpi.

Rama: Sikur të jetë hapja Gjermani – Shqipëri do ishte një super publicitet për Shqipërinë. Po kam përshtypjen domethënë aty ke ngjyrat e stadiumit kam përshtypjen e di që ne barazimin mund ta kapim të paktën barazim të paktën aty në stadium. Ata do ta nënvlerësojnëe pak hë se Shqipëria, këta tanët do thonë – Hajde të shkojmë të rrafim Gjermaninë. Si është puna e tifozllëkut. Se mësohen njerëzit edhe në fakt nuk kanë faj që mësohen, pastaj iu duket çudia më e madhe në botë dhe iu duket si e patolerueshme që mos me i rraf Faroet përshembull, mirëpo e para njëherë që aty është momenti kur edhe sportdashësit dhe ata që e ndjekin kombëtaren duhet të jenë njësoj si lojtarët. Në kuptimin që është lojtari i 12 që duhet ta absorbojë atë pakënaqësinë  me të njëjtin dinjitet dhe jo që – “Hë mo se këta kështu, këta ashtu”. Se shihja disa që komentonin që – pse kush jemi Brazili. Edhe Brazili edhe prapë mund të ngeci.  P.sh se përmend Luksemburgun. Luksemburgu tani kishte bërë namin. Po çfarë kanë bërë

Çfarë ka ndodhur me Luksemburgun, si është bërë aq i fortë.

Berat Gjimshiti: Edhe ne kemi humbur në Luksemburg 2 -1

Rama: Jo e di, po ishte i lodhur kur humbëm ne. Si ka mundësi?

Elseid Hysaj: Edhe më keq ne. Besoj se i kanë edhe ata ekstra komunitar shumë lojtarë nga jashtë

Berat Gjimshiti: Po besoj, prandaj është rritur edhe kualiteti

Rama:  …. Po ti kë do në grup

Elseid Hysaj: Unë dua Italinë. Me i rraf njëherë dhe me i dhënë dorën pastaj. Natën e mirë Italia.

Rama: Vetëm se me Spaletin kanë ndryshuar. Janë përmirësuar.

Elseid Hysaj: Të gjithë të rinj edhe ata. Të gjithë çuna të rinj. Normal që kanë kualitet.

Rama: E kanë ndryshuar, se ishte një moment që ishin keq.

Elseid Hysaj: Kam folur me këta lojtarët e Napolit gjithmonë kam kontakt të mirë e me të vërtetë më kanë thënë që është një trajner që të jep shumë motivim, të jep shumë lojë dhe të bën të rritesh. Në fakt u dallua edhe Italia. Erdhi Spaleti.

Rama: Edhe me Anglinë luajtën mirë ata, pjesën e parë luajtën shumë mirë. Pastaj Anglia me eksperiencën, forcën dhe të gjithë.

Elseid Hysaj: Normal pastaj janë edhe këto kombëtaret e forta që ti ulesh në fushë, por lufton dy minuta ndoshta ndryshojnë ndeshjen, bëjnë dy gola. Në futboll është gjithmonë, është i bukur se mund të kesh një rast dhe ndryshon loja për dy minuta. Edhe minuta e fundit.  Edhe ndeshjet disa herë i kemi fituar edhe në minutën 95. Kështu që na bëri gol portieri në Champion League e barazoi ndeshjen e Champions League. Për këtë është i bukur futbolli. Edhe për punën e tifozëve siç the edhe ti. Unë i kuptoj në fakt se të gjithë duan të jenë trajnerë  të gjithë duan të thonë këta gjithë ditën rrinë në hotele, pse nuk luajnë mirë. Po kur të jesh brenda konceptit të futbollistit është krejt ndryshe. Ke shumë gjëra të tjera. Presioni, tifozeria, trajneri, loja. Po s’të eci loja do e analizosh pas ndeshjes. Edhe me Ishujt Faroe siç the, janë rritur skuadrat, nuk ka më skuadra të vogla. Po ti shohësh në letër thua këta i rreh 3-0, po ndoshta ha një gol dhe ndoshta humb 1-0. Kështu që tani me vërtet duhet me qenë të përqendruar me të gjitha skuadrat. Nuk ka më skuadra të vogla.

Rama: Ti kë do në grup? Greqia iku?

Mario Mitaj: Jo ka shance, mund të futet me play – off. Dua ndonjë ekip të fort. Ndonjë Francë, ndonjë Angli.

Rama: Do Mbappen ti? Edhe pastaj ti thuash o Uzun hajde se nuk di ku iku ky. Hajde më ndihmo ta gjejmë.

Mario Mitaj: Pastaj dhe ndonjë ekip më të dobët në kuptimin e fjalës.

Rama: Ne në ca fashe jemi? Të dytën?

Mario Mitaj: Po.

Elhan Kastrati: Kurse unë si tifoz i Gjermanisë që kam qenë, Gjermaninë dua pasi po kalon dhe një periudhë tranzicioni dhe nuk është shumë në formë. Do ishte një kundërshtar ideal për ne.

Rama: Shyqyr që ti nuk do luash me Gjermaninë se do na e kishe bërë siç e bëri Perlat Musta atëherë. E dini historinë? Është historia e madhe. Ishte ndeshja e fundit e grupit dhe Gjermanisë i duhej fitore patjetër. Nuk e mbaj mend vitin. Perlati ishte i çmendur mbas gjermanëve dhe kishte idhull këtë Shumakerin, ka qenë portier. Po mundët ta gjeni atë ndeshjen në arkivë, besoj duhet të jetë në arkivat e TVSH sepse ahere tek TVSH e kemi parë. Ndeshja ka qenë e jashtëzakonshme. Një mësymje dhe Perlat Musta ka qenë një mace dhe në minutën e 87, diku nga fundi fare bëjnë gol gjermanët dhe ky bën një lloj akrobacie që ishte një goditje me kokë por që ishte e kapshme dhe u krijua problem i madh se pati dyshime të fora që e la vetë. Dhe fakti është që pas ndeshjes, i shkon Shumakeri dhe i jep dorezat dhe i thotë, “e di çfarë bëre, faleminderit”. Kështu që ti do jesh në stol.

Elhan Kastrati: Ti nuk më ke parë duke luajtur. Kwshtu qw mos thuaj ishalla nuk luan.

Rama: Ishalla nuk luan se meqë thua vdes për Gjermanin, po na lë ndonjë gol.

Elhan Kastrati: Përpara Shqipërisë nuk ve asnjë.

Rama: Atëherë ishte pak më ndryshe. Ishte Shqipëria, por ishte dhe një lloj kështu dhe Perlati e la dhe ishalla nuk po del ta përgënjeshtroj se atëherë u bë shumë debat. Çuna ju falënderoj shumë. E keni parë dokumentarin për Beckham-in? Tani presim dokumentarin për Uzunin nga Netflix, por duhet të na nderosh në Europian.

Frederik Veseli: Uzuni me helikopter.

Elseid Hysaj: Nuk i pëlqen lartësia, ka bërë veç foto.

Rama: I do kështu rrafsh me tokën?

Elseid Hysaj: Po hypi në avion ky mbaron komplet. Ta falënderojmë dhe një njeri që kemi këtu mbrapa. Menaxherin e ekipit, Dritan Babamustën, njëshin e njëshave.

Rama: Ai është gjithë kohës si hija e kombëtares dhe u takuam para ndeshjes me Çekinë, i thashë, hë si jemi?  Fitore more, më tha. I thashë dakord, por mos e thuaj me kaq bindje. Ja ke për ta parë më tha. Dhe pastaj në tribunë nuk e kam parë ndonjëherë, rrallë kam parë ndonjë njeri që nuk ishte fare aty. Pastaj u bë goli i parë, u bë i dyti, pastaj filloi, duhet dhe i treti.

Çuna faleminderit. Jeni shumë të mirë, jeni shembull, jeni frymëzim dhe faleminderit për gjithçka që arritët deri këtu. Tani e dini që oreksi vjen duke ngrënë. Ju e dini që është një fjalë që thotë në sport nuk ka mirënjohje. Nuk ka si të ketë sepse nëse sporti do bazohej tek mirënjohja, atëherë do t’i mungonte ajo egërsia e mungesës së dëshirës për këdo që mund të jetë ylli i momentit sot, nesër nëse nuk do jetë dot ylli i momentit nuk ekziston, kështu që sfida përpara është e madhe, por unë kam besim vetëm për një gjë. Duke qenë se nuk keni nga ikni, aty ku është e shtrënguar situata ju jepni maksimumin dhe dilni më mirë. Aty ku pastaj thoni “hë se këto nuk i kemi problem”, aty bëhen skandale. Kështu që në këtë sens unë kam shumë besim që tensioni, plus grumbullimi më i gjatë dhe përpunimi, se këto ndeshje i keni 2-3 ditë maksimumi kurse atje do keni mundësi grumbullimi e motivimi që të na bëni një tjetër dhuratë fantastike e ta shënoni emrin me germa të arta në historinë e futbollit shqiptar.

Elseid Hysaj: Shumë faleminderit.

Rama: Dhe rrugë të mbare për ku do niseni, faleminderit që erdhët dhe shumë respekte. Këta ishin 6 nga 26. Do doja të ishin 11, por siç thashë, disa fluturuan e këta çuna fantastikë ndenjën dhe një minutë tjetër këtu përpara se të fluturojnë për të vazhduar sfidat e tyre e për tu rigrumbulluar si zogjtë e Shqipes përpara sfidës së madhe të EURO 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top