Inter mori një fitore të madhe në derbi ndaj Milanit duke i mposhtur kuqezinjtë me shifrat 5-1. Zikaltërit e trajnerit Simone Inzaghi u shfaqën të pamëshirshëm dhe shumë konkretë në fushë duke i lënë shumë pak mundësi reagimi Milanit.
Ish-trajneri i Italisë, Cesare Prandelli e vlerësoi në maksimum performancën e Inter duke theksuar se zikaltërit ishin si një makineri ndërsa nga ana tjetër Milani ishte shumë i varur nga Leao që u bllokua nga kundërshtarët.
“Para ndeshjes nuk e kisha imagjinuar një diferencë të tillë, Inter më dha përshtypjen se është një makineri. Meritë e madhe është se lojtarët titullarë dhe ata të stolit japin të njëjtin kontribut në fushë. Ka kualitet, sasi dhe lojë fizike, kushdo të jetë në fushë Inter nuk ndryshon.
E kundërta ndodh me Milanin, kuqezinjtë varen nga Leao. Kjo u duk shumë në pjesën e parë, Milan kishte 70% të zotërimit të topit, por skuadra ishte shumë pak konkrete. Kjo i dha mundësinë Interit të gjente hapësirat e duhura në kundërsulm dhe duke zotëruar kështu lojën.
Kur e mban aq shumë topin atëherë hapësirat mbyllen dhe Milan u penalizua sepse Leao do lirshmëri. Në të vetmin rast që pati hapësira gjeti golin me dy pasime. Por, pa hapësira pavarësisht se je kampion bëhet e vështirë për të zgjidhur ndeshjen”, u shpreh Prandelli.