Ish e dashura e Luizit i kërkoi takim, por…/ Si qëndron e vërteta e bisedave të saj me Kiara Titon

Java e Kiarës jashtë shtëpisë së “Big Brother” është shoqëruar me shumë debate, duke përfshirë edhe persona të tjerë. Debatet më të ashpra, Kiara i ka çuar edhe në shtëpinë e “Big Brother”, ku edhe u përball me Efin për atë që ndodhi jashtë mes dy vajzave. Por pa u përfshirë në këtë histori nuk ka mbetur as Jurgena, ish-partnerja e Luizit.

Një adresë me emrin e saj ka publikuar biseda si dhe informacione rreth asaj çfarë ka ndodhur me Kiarën. Në rrjet po bën xhiron një video ku tregon bisedën e kësaj të fundit me Kiara Titon.

Ka qenë Kiara ajo që i ka shkruar e para ku i ka kërkuar të konsumojnë një kafe bashkë dhe më pas një tjetër bisedë e vajzave tregon se dalja e Oltës, hyrja e Bledit, Efit, Ronaldos dhe Kiarës ka qenë e planifikuar që më herët. Më pas, shoqja e Luizit, Jurgena Tusha, ka sqaruar se ka pasur një debat me Kiarën për shkak të llogarisë me mbi 600 mijë ndjekës që menaxhonte më parë, por tani sipas saj e ka nën menaxhim produksioni i “Big Brother”.

Në një postim në “Instagram”, Jurgena tregon se gjatë javës kur Kiara doli jashtë shtëpisë së “Big Brother” i ka kërkuar që të takohen.

Sipas shoqes së Luizit, Kiara i ka kërkuar profilin e “Instagram”-it, duke i thënë se do t’i hapin një tjetër llogari. Ndër të tjera i kishte përmendur edhe faktin që vetë Kiara e kishte kaluar numrin e ndjekësve të Luizit.

“Jemi takuar me Kiarën dhe kemi pasur një debat! Atë ‘Instagram’ të madhin të Luizit e ka dashur Kiara ta përdorte për interesat e veta.

Donte të fliste me produksionin për t’ia dhënë Kiarës dhe ta mbyllte përfundimisht. Arsyeja ishte ‘po hë se do t’i hapim një tjetër dhe do të shkojë prapë 600 mijë ndjekës, ja unë e kalova Luizin me follow’. Kjo s’më pëlqeu fare. Ndërkohë unë dhe familjarët e Luizit po bëjmë çmos ta marrim sërish se është merita e Luizit”, shkroi Tusha.

Tusha shtoi se zgjedh që të jetë realiste e transparente në çdo gjë që thotë, jo të fshihet e të mashtrojë. Menjëherë pas publikimit të këtyre mesazheve, ka reaguar edhe faqja zyrtare e Kiarës.

“Këto biseda që po qarkullojnë në rrjet, janë false. Nuk ka pasur një komunikim nga Kiara me personin në fjalë”, thuhet në njoftim. Por nëse nuk ka pasur një takim apo një diskutim në lidhje me ‘Instagram’-in e Luizit, një tentativë për të takuar Kiarën ka pasur.

Miqtë e afërt të Jurgënës kanë bërë me dije se realisht ajo ka kërkuar Kiarën për një takim, jo vetëm për t’i shpjeguar raportin që ka me Luizin jashtë shtëpisë, por edhe për t’i treguar se çfarë ndodhi me “Instagram”-in që ajo menaxhonte. Nga ana tjetër, Kiara nuk ka komunikuar dhe as nuk ka pranuar ndërmjetësues për të takuar Jurgenën.

Duket se një qëndrim të ftohtë ajo ka mbajtur për prezencën e Jurgenës që të nesërmen e daljes së saj nga “Big Brother”. E pyetur në “Big Brother Fun Club”, Kiara mbeti paksa e habitur dhe mendoi se flitej për Genën, tezen e saj, dhe më pas tha se nuk ka informacion për këtë pjesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top