Ish-trajneri i kombëtares italiane, Çezare Prandeli analizon luftën për titullin kampion, por edhe Juventusin dhe Tiago Motën në krye të bardhezinjve.Prandeli nuk e sheh “Zonjën” si kandidaten kryesore për titull, ndërsa mendon se i duhet ende kohë. “Juventusi ka nevojë për më shumë kohë. Edhe ndaj Shtutgartit u pa që provojnë të bëjnë gjëra që nuk i bënin dot sepse vijnë me kalimin e kohës. Shpresoj që të bëjnë gjithçka në mënyrë më të shpejtë dhe të kuptohen më herët me njëri-tjetrin. Ata janë në rritje dhe kjo është diçka natyrale.”
TITULLI- “Interi dhe Napoli janë dy skuadrat më të strukturuara dhe më të gatshme për të fituar titullin kampion. Kanë më shumë kapacitete dhe mundësi për të fituar ndeshjet edhe falë zëvendësimeve që mund të bëjnë. Janë dy skuadra që do të luftojnë për titull deri në fund. Sa i përket ekipeve të tjera, trajnerët, por edhe grupet e lojtarëve janë ende në kërkim të ekuilibrave që i nevojiten për të krijuar një skuadër konkurruese dhe fituese”.
VLAHOVIÇ– “Për tifozët kur ti je qendërsulmues duhet të shënosh gjithmonë. Ai është duke shënuar dhe po luan mirë për skuadrën. E kam parë më mirë se kohët e tij të mëparshme. Vlahoviç duhet që të qëndrojë i qetë dhe të ndjekë këshillat e trajnerit. Ashtu mund të bëjë më shumë dhe të fitojë sigurinë që i nevojitet. Fakti që nuk po rinovon nuk mendoj se është një problem për bllokimin psikologjik. Ai gjatë gjithë kohës është në kontakt me njerëz që e ndihmojnë edhe në aspektin psikologjik, prandaj nuk mendoj se është ky problemi”.
KONTE- “Të dish të ndërhysh në merkato është një meritë dhe një cilësi e madhe. Në përgjithësi një trajner ka nevojë për dy deri në tri muaj për të dhënë nga karakteri i tij që të fusë në skuadër mentalitetin e duhur dhe të largojë të vjetrin. Struktura e Napolit është e ngjashme me atë të dy viteve më parë dhe ky është një fat. Konte ka ndryshuar disa gjëra, por kur e nis projektin nga baza të tilla solide, punën për të krijuar një grup dhe skuadër e ke më të lehtë dhe mund të vijë në një kohë më të shkurtër”, tha ndër të tjera ish-trajneri i kombëtares së Italisë, Çezare Prandeli.
PANORAMASPORT.AL