Edhe 10 ditë na ndajnë nga ndeshja e parë e Europianit për Shqipërinë, që ndeshet me Italinë kampione në fuqi. Kundërshtari i 15 qershorit, sipas “Gazzetta dello Sport”, e ka një nga pikat më të forta majtas, te Federiko Di Marko. Pas një analize të detajuar të skuadrës së Spaletit del se Italia do të shkëlqejë, pasi kështu bën gjithmonë kur ka një yll në krahun e majtë, kështu që Hysaj dhe Balliu janë të paralajmëruar. Ja çfarë shkruan gazeta prestigjioze:
Pas çdo Botërori apo Europiani është gjithmonë një mbrojtës i madh i krahut të majtë. “Axurrët” kanë fluturuar në këtë krah me lojtarin që nuk është limituar me rolin tradicional të mbrojtësit, por duke marrë pjesë në manovrën sulmuesi gati si mesfushor dhe duke shënuar gola. Gjithmonë ky profil lojtari ka qenë një nga simbolet e Italive më të bukura dhe fituese. Nga Faketi, që e ndryshoi këtë rol tek Interi i madh, te Spinacola, duke kaluar mes miteve si Kabrini, Maldini dhe Groso. Sot ky lojtar tek Italia është Federiko Dimarko. Një “top player”, që në botë ka pak rivalë.
I PAZËVENDËSUESHËM – Dimarko është një nga lojtarët e pazëvendësueshëm të Inzagit dhe Spaletit. Me Interin numëron 132 ndeshje në 3 vitet e ciklit, me kombëtaren aktuale ka luajtur në të 8- a ndeshjet e trajnerit të ri. Është një nga interpretuesit më modernë të rolit të tij. Vështirë ta klasifikosh si lojtar, ose më mirë të themi e majta është baza e nisjes për të, mundësisht në skemën me 5. Ka një vrapim shpërthyes, gjendje të mirë fizike, gjuajtje dhe adaptim taktik që e bëjnë të domosdoshëm në lojën “likuide”. Me Inzagin është bërë mbrojtësi që ka marrë pjesë në më shumë gola në kampionat, 11 (5 gola dhe 6 asiste). Taktikisht transformohet shpesh në sulmues të majtë në një linjë me 5, me Mikhtarian, Lautaron, Turamin dhe Dumfris. Gjuajtja nga jashtë zonës është impresionuese për këtë lojtar.
LOJTAR KYÇ – Spaleti Nuk ka hequr kurrë dorë nga Dimarko: e vetmja herë që nuk ishte titullar dhe zëvendësoi Udogie ishte në ndeshjen Angli-Itali. Pas dëmtimit të lojtarit të Totenhemit është grumbulluar Kambiaso, një tjetër lojtar që bën disa role. Por Dimarko është titullar dhe nga sa është parë, një nga lojtarët kyç të Italisë trasformiste. Duke u nisur nga e majta, ai mund të shtyjë përpara në atë korridor (si tek Interi) ose mund të futet në qendër pranë organizatorit (si Hernandez te Milani, apo Kanselo dhe Zinçenko te Siti i pak viteve më parë), duke e ndryshuar sistemin në 3-4-2-1 ose 3-2-4-1.
RIVALËT – Anësori i majtë nuk është një rol për të gjithë në Europë. Dimarko mund të jetë në një pod ideal me Grimaldon, spanjollin që ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm me Leverkusenin (12 gola), në rreshtimin 3-4-2-1 që shndërrohet në 3-2-4-1, si te kjo Itali. Lojtari tjetër “top” i sezonit të fundit është Gvardiol, mbrojtësi qendror që është spostuar majtas nga Guardiola dhe i ka dhënë krahut shumë fuqi. Francezi Mendi (Real), skocezi Robertson (Liverpul), anglezi Shou (M.Junajtid) janë emra të tjerë të rëndësishëm të këtij roli, por Dimarko nuk i trembet sfidës.
PARAARDHËSIT – Një lojtar atipik, interisti nuk ngjan teknikisht me asnjë nga paraardhësit e mëdhenj të rolit, por futet gjithsesi në traditën e tyre. Në vitet ’60, Faketi mrekulloi botën: rivalët nuk e kuptonin se si Interi kishte dy krahë të majtë. Kabrini e transformoi këtë rol në zonën miks të Trapatonit dhe Bearzot, duke u bërë mesfushor krahu dhe duke magjepsur në Argjentinë ’78 dhe Spanjë ’82. Ndoshta më i madhi ka qenë Maldini, mbrojtës i djathtë, i majtë, qendror, total. Në USA ‘94 luajti edhe pranë Kostakurtës, pas dëmtimit të Barezit, në Euro 2000 ishte një nga tre qendrorët, ose anësori i 3-5-2-shit të Maldinit.
Groso është një nga heronjtë e Berlinit, për Lipin lojtari vendimtar me golin ndaj Gjermanisë dhe penalltinë e fundit në finale. Kielini, para se të bëhej stoper i “Wembley”, ishte mbrojtës krahu: në Euro 2012 ishte ai në krah në 2-1 ndaj Gjermanisë. Në 2021-shin “arma” e Mançinit ishte Spinacola, që në 3-2-5 sulmuese spostonte Insinjen në qendër dhe bëhej sulmues sprintjer dhe driblues. Paraardhësit e Dimarkos kanë shkuar në finale…