Në edicionin e 28-të të “Premio Gentleman” në Milano, event dedikuar “Fair Play-t” në fushë, Inter ishte një nga skuadrat më të përfaqësuara. Tre prej lojtarëve zikaltër fituan çmime teksa përveç Di Marcos të shpallur si “Gentleman Inter” dhe Lautaro Martinez që fitoi çmimin e “Golit më të Bukur”, pjesë e ceremonisë ishte edhe Kristjan Asllani.
Mesfushori i kombëtares fitoi çmimin e dedikuar për talentet, një çmim që njihej si “Zbulimi i të Rinjve”. Në momentin kur pranoi çmimin, Kristjan Asllani theksoi edhe njëherë tjetër dashurinë e tij për Inter ndërsa kujtoi telefonatën e parë nga zikaltërit kur u transferua aty nga Empoli.
“Është një kënaqësi e madhe për mua të më akordohet ky çmim. Telefonata nga Inter? Pranova menjëherë, nuk kishte dyshime. Kjo sepse unë jam edhe një tifoz i Interit, për mua është një nder i madh që mbaj veshur këtë fanellë”, u shpreh Asllani.