Pas pesë ndeshjes si titullar në kampionatin italian duke luajtur minutat e plota, e djeshmja ishte hera e parë në sezon për Ylber Ramadanin që nuk mbyll një ndeshje të Leçes.
Në minutën e 70-të të sfidës me Juventusin, shqiptari i lëshoi vendin francezit Kaba. Pavarësisht kartonit të marrë në pjesën e parë, 27-vjeçari ishte një motor i vërtete në manovrën leçeze.
Edhe mediat italiane e kanë vlerësuar, duke e cilësuar provën e tij si të denjë për notën 6.
“Këmbë, goditje dhe gjeometri. Ai është pikëmbështetja e ekipit, njeriu që dikton ritmin dhe vendos rregull. Ai e trajton topin pa njolla dhe me saktësi, por edhe pa nxitime”, ishte komenti i “Sportmediaset”.
Kujtojmë se në kontributin e Ramdanit, peshojnë edhe 90 minuta në Kupën e Italisë. Ndërkohë, trajneri D’Aversa mbajti për 90 minuta në stol Medon Berishën. 19-vjeçari vijon të jetë mes të grumbulluarve, por ende nuk po i jepet shansi për të debutuar në Serinë A me ekipin e parë.