Gënjeu për një sëmundje që nuk e kishte, pastaj lindën dyshime se e kishte Luiz Ejlli, banori që po trazon Shqipërinë nga shtëpia e “Big Brother Albania Vip”.
Mbrëmjen e djeshme e dashura e Luizit, Kiara Tito ka lënë shtëpinë e Big Brother. Pas 90 ditësh ajo u detyrua të lërë shtëpinë pasi nuk mundi të fitojë votat e publikut në nominim me Oltën.
Gjatë këtyre ditëve ajo kaloi momente të bukura me Oltën, por jo dhe aq me Luizin. Kiara e mori me sportivitet largimin, por u emocionua kur hapi biletën dhe nuk kishte më kthim. Në puntatën e kaluar Luiz Ejlli paralajmëroi se do të largohet nga shtëpia e BBV nëse eliminohet e dashura e tij.
Këngëtari u shpreh se do të bëjë gati valixhet dhe do të largohet nëse eliminohet, ai tha se nuk i intereson nëse ka biletë kthimi, por nuk e mbajti fjalën.
Çfarë tha Luiz Ejlli në prime e kaluar:
“E kam dashur këtë lloj nominimi, mu plotësua ëndrra. Ose largohet Olta Gixhari nga kjo shtëpi në këtë mënyrë, ose nuk largohet ndryshe, duke marrë parasysh se është kokë më kokë me Luizin dhe Kiarën, jo vetëm me Kiarën. Nëse ndodh e kundërta, sepse nuk e di sa mbështetës kemi jashtë, por nuk e them as presion edhe as për mosrespekt ndaj këtij formati.
Nëse del Kiara të shtunën, do bëj gati valixhet së bashku me të, dhe do dal me të, pak rëndësi ka nëse ka biletë kthimi, unë nuk kthehem më nëse del Kiara. Është e kot të qëndroj kur nuk arrijnë mbështetësit e neve të dyve për të nxjerrë Oltën”, tha Luizi.
A ishte kjo gënjeshtra e dytë e tij?
Këngëtari shkodran i tha Deas se nëse del Kiara humb në përballjen që ka “kokë më kokë” me Oltën. ‘2 milionë përqind, ore për kokë të 3 mbesave, të shtunën dal jashtë. A ha shqip a jo, të zë kokën e tyre për një lojë’, por duket se ai e bëri këtë dhe nuk e mbajti fjalën.
Si e ‘bindi’Kiara të qëndrojë Luizin?
Luizi dhe Kiara kanë patur një bisedë të gjatë pas nominimit, pikërisht në lidhje me vendimin e Luizit për t’u larguar në rast se eliminohet Kiara.
Kjo e fundit u mundua ta bindë Luizin që të qëndrojë për të shkuar deri në finale dhe me sa duket ia doli.
Pse Luizi është kthyer në fenomen në Shqipëri?
Luiz brenda shtëpisë u dashurua me Kiarën, duke fituar simpatinë e popullit falë sharmit dhe karakterit simpatik, për ta shndërruar veten në njeriun më të urryer brenda shtëpisë për shkak të sjelljeve të pahijshme, ku u përfshi edhe një që u konsiderua “gënjeshtër” e rëndë, kur tha se vuante nga kanceri i lëkurës, por që eventualisht u kuptua se nuk vuante, falë ekzaminimeve.
Duke nxitur një antipati kolosale rreth vetes brenda shtëpisë dhe simpati monumentale jashtë saj, Luiz Ejlli është shndërruar në një sensacion në rrjetet sociale, që tejkalon përmasat e një spektakli televiziv.
A është Luiz Ejlli personazhi i George Orwell?
Luizi duket se ky e ka lexuar dhe kuptuar shumë mirë personalitetin e ‘Winston Smith’, në novelë e George Orwell ‘1984’, dhe me përpikmëri është duke luajtur rolin e tij.
Karakteri i “Winston Smith” është mishërues me një djalosh të rëndomtë, 39-vjeçar (afërsisht sa është mosha e Ejllit), i cili konsumon duhan dhe alkool dhe kollitet fuqishëm në mëngjes, siç bën edhe personazhi shqiptar brenda shtëpisë së “Big Brother”.
Orwell u mundua ta bënte karakterin e “Winston” aq të zakonshëm, sa secili prej nesh ta shihte veten tek ai. Me fjalë të tjera, Luiz Ejlli është karakteri më i dashur dhe më i urryer në të njëjtën kohë, varësisht nga pikëpamja dhe këndvështrimi, duke shndërruar qëndrimet rreth tij në bardh e zi më shumë se në gjithçka tjetër.