Kemi pasur një periudhë edhe më të zezë se kjo.
Silvinjo vërtet u sulmua e u kritikua pas disfatave radhazi kundër Gjeorgjisë në Tiranë dhe Çekisë në Pragë, por e vërteta është se edhe paraardhësi i tij i shquar, Xhani De Biazi, pothuajse u dorëzua menjëherë pas Kampionatit Europian 2016.
Ndoshta, një sëmundje kronike e një ekipi të vogël si Shqipëria pas arritjeve më të mëdha në historinë e tij.
Po flasim për pesë humbje radhazi të pësuara nga 9 tetori 2016 deri në 4 qershor 2017.
Një segment kohor disi I gjatë, që nisi me humbjen normale ndaj Spanjës në Shkodër, vazhdoi me katastrofën ndaj Izraelit në “Elbasan Arena” në nëntor 2016, me shifrat 0-3, në një përballje ku masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme.
Pasoi disfata gjithashtu e pritshme në Itali 2-0 në mars 2017, pastaj humbja në miqësoren e luajtur në shtëpi kundër Bosnjë-Hercegovinës 1-2, ndërsa kulmi ishte ruajtur për në fund.
Në 4 qershor të po atij viti, të besuarit e De Biazit, u mposhtën në Luksemburg.
Skuadra që ishte në fazën finale të Europianit francez u dorëzua me shifrat 2-1 ndaj një “liliputi”.
Në fushë ishin Gjimshiti, Roshi, Abrashi, Kaçe, Strakosha, Mavraj, Cikalleshi, Memushaj, Hysaj, Kukeli apo Lenjani.
Nga dhomat e zhveshjes erdhën lajmet se trajneri italian goditi tavolinën me grusht, dhe mbajti një fjalim të ashpër, me kritika të forta ndaj yjeve të tij.
Duket se pati efektin e duhur, sepse Shqipëria u kthye me një 3-0 në Izrael, ku heroi ishte Armando Sadiku me dy gola.
Ishte edhe ndeshja e fundit e De Biazit që dha dorëheqjen menjëherë pas saj, ndoshta sepse mendoi se e kishte mbyllur ciklin kuqezi.
Sinkron De Biazi
Silvinjo duhet thënë se është ende në pozita më të mira.
Këtë të premte, në Pragë, u pësua vetëm humbja e dytë radhazi, ndërsa Liga e Kombeve u nis me fitore gjithashtu në kryeqytetin e Çekisë ndaj Ukrainës.
Natyrisht, nuk është ende fundi I botës, ndonëse ekziston rreziku I një “shuplake” të tretë radhazi, pasi këtë të hënë luajmë në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë.
Skuadra jonë duhet të reagojë, përndryshe humbja do të jetë tepër e lehtë për t’u pësuar.
Çfarë po ndodh me ekipin kuqezi?
Kryesorja është që humbjet ishin të merituara, pasi qoftë Gjeorgjia, qoftë Çekia luajtën më mirë se ne.
Për momentin, ka humbur frymëzimi që e shtyu përpara ekipin në eliminatoret e Kampionatit Europian, dhe që e ndihmoi të barazonte me Kroacinë në Europian e të rezistonte ndaj Spanjës, kampiones së ardhshme të kontinentit.
Ishte ai frymëzim që na ndihmoi të përmbysnim rezultatin ndaj Ukrainës në Pragë, në një sukses që padyshim e merituam, edhe pse ishte tepër e vështirë.
Silvinjo nuk deshi të dorëzohej pas ndeshjes së të premtes, teksa i kujtoi të gjithëve se Shqipëria e tij nuk është ende për t’u hedhur poshtë.
Të shohim nëse do të arrijmë ta ngrejmë kokën nesër në Gjeorgji, ndonëse historia na mëson se për ne edhe humbjet radhazi nuk janë fundi I botës. /abcnews.al