Çështja “Brozoviç” e ka lënë disi në hije atë “Lukaku”, por padyshim që një nga temat më të nxehta të Interit për momentin është e ardhmja e sulmuesit.
Belgut i ka skaduar tashmë huazimi njëvjeçar me Interin dhe është zyrtarisht lojtar i Çelsit, por as italianët dhe as vetë lojtari nuk janë dorëzuar për të siguruar një tjetër vit së bashku. Atë që ka pasur në dorë vetë 30-vjeçari e ka bërë, duke ia shprehur qartë vullnetin e tij londinezëve dhe duke refuzuar ofertat marramendëse nga Arabia, me atë të fundit të Al-Hilalit që shkoi në 58 milionë euro në sezon.
Po sipas gazetarit, Interi po planifikon të ofrojë huazimin me detyrim blerjeje, me 5 milionë euro që do të paguhen për huazimin deri në qershorin e ardhshëm dhe me 30 milionë euro shifrën e përcaktuar për blerjen. Risia e propozimit të radhës të Interit ama do të jetë pagesa me këste për blerjen, që pritet për t’u parë nëse do të pranohet nga londinezët.
POSTIMI – Ndërkohë që e ardhmja e tij është ende e paqartë, vetë Lukaku nuk po humbet kohë dhe edhe pse me pushime vazhdon të stërvitet, për të qenë gati për sezonin e ri. Sulmuesi ka postuar dje në faqen e tij zyrtare në “Instagram” një foto gjysmë i zhveshur pas stërvitjes, ku bie në sy forma e tij e shkëlqyer fizike. Duket se Lukaku i ka paralajmëruar kundërshtarët, me shpresën se do të jenë italianë dhe do të jetë pjesë e grumbullimit të Interit që nis më 13 korrik.