Ndoshta pakkush e mban mend emrin e Asan Gnukurit, por kjo nuk e minimizon faktin që lojtari nga Bregu i Fildishtë ka në CV-në e tij 11 ndeshje me Interin, mes 2015-2017-ës.
Ish-mesfushori mbërriti tek ekipi i të rinjve zikaltër në 2014- ën, duke bërë debutimin e tij në ekipin e parë një vit më vonë falë Roberto Mançinit dhe duke regjistruar edhe një derbi si titullar në 2015-ën, ndërkohë që tani rrezikon të detyrohet të largohet nga Italia për shkak të parregullsive në dokumente. Një hetim i Prokurorisë së Parmës në vitin 2017, kur Gnukuri kishte ndaluar së luajturi për shkak të problemeve në zemër, ka zbuluar se emri i tij i vërtetë është Alase Traore dhe se viti i tij i lindjes është 1994 dhe jo 1996. Gnukuri ka ndërtuar aventurën e tij në Europë me dokumente false dhe tani ka aplikuar për azil. Avokatja e ish-lojtarit Mikela Kuketi ka nisur tashmë procedurat me arsyen: “Asan është sjellë me mashtrim në Itali si i mitur dhe më pas është shfrytëzuar, braktisur dhe lënë krejtësisht vetëm, është viktimë e trafikut”. Duke pasur parasysh periudhën e tij tek Interi, rasti i tij të kujton atë të Alvaro Rekobës.
REKOBA – Ish-futbollisti uruguaian ishte figura kryesore në “Passaportopoli”, skandali që përfshiu futbollin italian dhe që tronditi Interin dhe Milanin. Klubi zikaltër, pasi u konstatua se pasaporta me të cilën lojtari u shpall lojtar komunitar ishte false (me vetë Lele Orialin që kishte shkuar në Buenos Aires për ta marrë) me rregullore duhet të kishin humbur të gjitha ndeshjet që kishin luajtur Rekoba dhe për këtë arsye duhej të zbriste në Serinë B me efekt të menjëhershëm. Sipas torinezes “Tuttosport”, ndërhyrja e Galianit, duke qenë se edhe Milani ishte i përfshirë në këtë çështje, shpëtoi gjithçka. Procesi sportiv u zgjat për të mbërritur pas përfundimit të sezonit dhe rregulli në fjalë, “40 NOIF” për regjistrimin dhe punësimin e lojtarëve jashtë BE-së, u ndryshua në fillim të majit para gjykimit. Në fund vetëm pezullime dhe gjobë për klubet.