Një foto i shtrirë në shtratin e spitalin, me dhimbje, por me buzëqeshje në fytyrë. “Ky është hapi i parë drejt rikthimit në fushë”. Kështu Gleison Bremer përshëndeti operacionin e tij të zhvilluar në Lion pas dëmtimit të rëndë të pësuar në ligament që do ta mbajë jashtë fushës për pjesën tjetër të sezonit.
Dhimbje koke për Tiago Motën që tashmë nuk ka shumë alternativa në mbrojtje, dhe pa liderin në fushë duhet të gjejë një zgjidhje sa më efikase. Sigurisht që mendimi i parë vjen te dyshja Kalulu-Gati. Mbrojtësi francez dhe kapiteni bardhezi janë alternativat e para, por sezoni është i gjatë dhe nuk mund t’i besosh gjithmonë të njëjtëve lojtarë.
Kjo jo për arsye cilësie, por ndeshjet po fillojnë të shpeshtohen dhe rendimenti mund të bjerë ndjeshëm. Megjithatë, trajneri italo-brazilian ka nisur disi nga eksperimentet, të paktën nga ajo që raportojnë mediat pranë Juventusit. Zgjedhja e parë do të jetë Gati-Kalulu, me dyshen që kanë treguar se mund të luajnë mjaft mirë pranë njeri-tjetrit.
MBROJTJA- Deri më tani mbrojtja ka qenë pika më e fortë e Juves. Në kampionatin italian kanë pësuar vetëm një gol, atë me 11-metërsh në sfidën ndaj Kaljarit dhe bardhezinjtë vazhdojnë të kenë repartin më të mirë difensiv në Europë. Megjithatë, Mota po sheh alternativat e mundshme edhe për pjesën e rotacionit.
Përveç Kalulut dhe Gatit, i vetmi lojtar që mund të luajë në qendër është Danilo. Ky i fundit nuk ka pasur shumë besim nga trajneri bardhezi në këtë start sezoni, por ndoshta dëmtimi i Bremerit do ta detyrojë italobrazilianin ta aktivizojë më shumë ish-kapitenin e “Zonjës së Vjetër”. Mund të shihet si zgjedhja e vetme e detyruar, por Mota ka edhe disa opsione.
ALTERNATIVAT- Përveç Danilos, një tjetër lojtar që mund të aktivizohet në qendër është edhe Kabal. Ky i fundit edhe pse është afruar për rolin e mbrojtësit të majtë, nuk shihet si i tillë nga Mota. Tekniku është i bindur se ai mund të luajë më mirë në qendër sesa në krah e në këtë moment të vështirë ku mbrojtja e Juves ndodhet numerikisht, Kabal mund të marrë një rol më lartë në hierarkinë e skuadrës.
Versionet e tjera janë edhe Savona, që luan në të djathtë, por që mund të bëjë qendrën. Në rast se Mota do të ketë probleme të tjera, atëherë opsioni i fundit është ai i vendosjes së Lokatelit në qendër të mbrojtjes, por këtë herë si një zgjidhje emergjente dhe jo si një dëshirë e trajnerit.
PANORAMASPORT.AL