Mbrojtësi i Kombëtares refuzon ofertën e skuadrës së Mario Mitajt, vendos të qëndrojë në Serinë A

Ardian Ismajli refuzon Lokomotivën e Moskës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare kishte një ofertë nga klubi rus, por ka vendosur që të vazhdojë me Empolin dhe të qëndrojë në Itali.

Përveç Lokomotivës së Moskës, ku pjesë është edhe mbrojtësi Mario Mitaj, një tjetër klub rus është interesuar për 27-vjeçarin që ka zgjedhur të vijojë karrierën në Serinë A dhe të realizojë objektivin me toskanët, që është mbijetesa mes më të mirëve në Itali.
REFUZIMI
Në verën e vitit 2020, Ardian Ismajli u transferua nga Hajduk Spliti në Kroaci te Specia, lëvizje e bujshme kjo. Marrëveshja ishte për 5.6 milionë euro dhe mbrojtësi i Kombëtares me gjestin e tij ka gëzuar tifozët dhe të gjithë në klub. Ai vendosi që nga transferimi te Hajduku të hiqte dorë nga 10 për qind që i takonte. Pas një sezoni te Specia, ai kaloi tek Empoli, ndërsa tani ka gëzuar edhe tifozët e tij. Sipas gazetarit të njohur italian Nikolo Shkira, Empoli ka marrë një ofertë për Ismajlin nga Lokomotiva e Moskës. Megjithatë, Ismajli vendosi të refuzojë ofertën dhe të qëndrojë në Itali.

Empoli është aktualisht në vendin e 19-të, i parafundit, në Serinë A, por me një diferencë të vogël pikësh me ekipet e tjera që janë afër. Ismajli zgjodhi të qëndrojë tek Empoli dhe të luftojë deri në fund të sezonit për mbijetesën, në të kundërt ai do të bashkohej me klubin rus, ku pjesë është edhe Mario Mitaj, mbrojtësi i majtë i përfaqësueses shqiptare. Penalizimi është që klubet ruse janë përjashtuar nga kompeticionet europiane, por aty Ismajli mund të siguronte një kontratë më të mirë sesa tek Empoli.

Gjithashtu, siç raporton Shkira, përveç klubit të Mitajt, ka qenë në skenë edhe një tjetër klub rus që interesohej për Ismajlin. Aktualisht, 27-vjeçari që është titullar ka zgjedhur të qëndrojë dhe nëse në verë Empoli nuk ia del të shpëtojë në Serinë A, largimi i tij do të ishte normal, qoftë edhe në Rusi, nëse oferta do të vlente akoma.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top