“Merrja trofeun si lojtari i ndeshjes dhe ndihesha i vetmuar në shtëpi”! Lojtari i Shqipërisë tregon rastin e rrallë si iku para kohe nga Norvegjia: Nuk kisha me kë të festoja

Ne e kemi thënë prej kohësh, Adrion Pajaziti është super talenti i madh i Shqipërisë U-21 që po i vjen Kombëtares A. Ky lojtar është pjesë e të rinjëve të Fulham, U-23, por mënyra sesi e kontroll topin, idetë që ka për të pasuar dhe goditjet nga distanca, janë të një kalibri tjetër. Një lojtar i tillë nuk ka sesi të kalojë pa vëmendjen e trajnerit Silvinjo. Në një intervistë për programin e ri të Sport Ekspres, Koha Shtesë, Adrion Pajaziti tregoi edhe takimin që kishte me Silvinjon dhe presidentin e FSHF, Armand Duka.

“Silvinjo dhe Shqipëria A? Të them të drejtën, e kam takuar Silvinjon, Zabaletën dhe presidentin e FSHF, Armand Duka. Ata kanë qenë në Londër para disa muajsh dhe më kanë thirrur mua dhe babain. Jemi takuar, kemi folur së bashku. Më kanë përgëzuar dhe më kanë thënë që vetëm të punojë pasi nuk jam larg kalimit te Kombëtarja A. Tani duhet që të fillojë të luajë në futbollin profesionist, jo te moshat dhe më pas do të vijë momenti im. E di që nuk do të jetë e vështirë që të luajë mirë te Shqipëria A pasi kur luan me lojtarët e nivelit të lartë është e thjeshtë, kemi lojtarë cilësorë, përshëmbull Asllani ishte në finalen e Champions League. Kur ke lojtarë të këtij kalibri ata dinë çdo detaj, të japin topin në këmbën e mirë dhe në kohën e duhur.

Kryesorja është që ne fituam kundër Rumanisë. Por të jem i sinqertë, nuk e kam parë fare se çfarë ndodhi me babain. Madje u çudita edhe që kisha hequr fanellën e Shqipërisë te momenti i golit, nuk jam ai tipi që heq fanellën. Por emocionet ishin aq të mëdha, fanellën e hoqa dhe pashë të gjithë lojtarët që hipën te mua të festonin. Pastaj kur ktheva kokën, shikoj babin që vjen të më përqafoj. Por nuk e pashë fare që u grind me stjuardët. Kur mora telefonin që mbaroi ndeshja, atëherë e pashë se çfarë kishte ndodhur, po më dërgonin videot e babait. Isha edhe krenar për babain, e përgëzoja dhe pak isha i turpëruar (qesh). Nuk e pashë dot as topin në rrjetë, kisha mbrojtësin përpara që ma kishte bllokuar gjithë pamjen. E kuptova që topi shkoi në gol vetëm kur pashë tifozët dhe shokët e ekipit që po vinin drejt meje.

Fitorja kundër Rumanisë U-21? Medon Berisha kishte një shok te rumunët, ka një shok ekipi që kishte luajtur me të te Lecce. Ai ka folur me të dhe rumuni ishte komplet i shokuar sesi Shqipëria e përmbysi, nuk e prisnin fare. Ata ishin më të freskët kishin 10 ditë në stërvitje, ne kishim 2 ndeshje dhe udhëtimi i përfshirë, na kishin analizuar mirë dhe na i bllokuan hapësirat. Kur shkuam 2-0 u mendua lojë e humbur, por të rrok zemra e harron lodhjen. Shënuam edhe 3 gola shumë të mirë me cilësi të mirë, shikoni golat prapë, ishin të tre me shumë cilësi. Ne nuk jemi më vetëm ekip që luajmë si grup dhe që nuk ka asnjë cilësi, lojtarët tanë kanë cilësi në individualitete tani. Rumunët ishin komplet të befasuar sesi u përmbysën nga Shqipëria, mbetën pa fjalë.

Çfarë do të thotë Shqipëria për mua? (Tregon fanellën e Shqipërisë që ka varur në mur dhe lahutën). Shikoje se çfarë do të thotë (qesh). Kam në mur fanellën që kam bërë debutimin me Shqipërinë U-21 para një viti, si e kam marrë fanellën, babai e vari menjëherë në mur. Së bashku me të është edhe lahuta. Kultura jonë, nuk mund ta përshkruajë me fjalë se çfarë ndjesie më vjen për atë vend, familjarët i kemi të gjithë nga ai vend. Është një ndjenjë e papërshkrueshme, krenari kur luan për kombin tënd”, tha Pajaziti.

Lojtari 20 vjecar u huazua te Haguesaund në elitën e Norvegjisë nga Fulham. Menjëherë nisi të shkëlqejë, por papritur mbërriti njoftimi zyrtar: “Adrioni largohet dhe mbaron huazimin para kohe pasi nuk po mësohej dot me jetesën në një qytet të vogël të Norvegjisë pasi është rritur në Londër”. Por çfarë ndodhi realisht? Vetë Adrioni e shpjegoi në “Koha Shtesë”.

“Huazimi në Norvegji që përfundoi para kohe? Për pjesën në fushë ishte mirë shumë. Ishte eksperiencë e mirë, kemi luajtur kundër Rosenborg, Molde, me 40.000 shikues. Kam luajtur gjithmonë titullar dhe kam bërë shumë mirë aty. Por jashtë fushe, ka qenë shumë e vështirë. Kam jetuar vetëm edhe në Londër, por është ndryshe kur vjen në fundjavë te familja ose familja vjen te ty në disa ndeshje. Atje ndihesha shumë vetëm. Më mungonin edhe shokët. Atje njerëzit në skuadër ishin shumë më ndryshe se unë. Ka pasur disa momente kur ne kemi luajtur dhe kemi fituar, unë kam marrë një trofe si lojtari i ndeshjes dhe kur kam shkuar te shtëpia, nuk kam pasur as kënaqësi asgjë, vetëm, nuk kisha se më kë të festoja. Me shokët e ekipit ishim mirë, por nuk kalonim shumë kohë jashtë fushe”, tha Pajaziti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top