Mota në prag të sfidës me Lacion: Dua një “Zonjë” të bukur, por të marrim edhe rezultate

Juventusi do të presë sot në mbrëmje në shtëpi Lacion në kuadër të javës së tetë të Serisë A.Në prag të sfidës që do të startojë në orën 20:45 ka folur në konferencën për shtyp trajneri Tiago Mota që ka komentuar ndeshjen, pritshmëritë që ka, por edhe vështirësitë që po kalon me dëmtimet. “Lacion e prisja më lartë në tabelën e klasifikimit sepse ka një skuadër të fortë. Ne duhet të bëjmë punën tonë për të dalë me një rezultat pozitiv”, u shpreh fillimisht trajneri bardhezi.

LACIO– “Do të përballemi me një skuadër që ka lojtarë të cilët po bëjnë mirë në këtë moment. Kanë një trajner ekspert që vjen nga shumë sezone të mira të zhvilluara si në Serinë A ashtu edhe në B. E admiroj shumë sepse ka bërë një punë të madhe në dy sezonet e fundit”.

LOJTARËT– “Lojtarët që kam në dispozicion janë mirë. I kam parë në stërvitjen e fundit dhe se si janë trajnuar. Kanë bërë një punë të mirë dhe do të jenë gati për këtë ndeshje”.

PËRBALLJE DIREKTE– “Ndaj Lacios dua të shoh edhe një lojë të mirë, sepse është ajo që të çon më pas te rezultati, pra jo vetëm për bukuri. Dua të shoh skuadrën time që luan mirë, mbron mirë dhe të bëjë presion përpara. Nënkuptoj shumë gjëra kur them të luajmë mirë”.

DËMTIMET- “Nuk do të kemi në dispozicion Bremerin, Milikun, Mek’Kenin, Kopmeinersin dhe Gonzalezin. Gjithashtu Konseisaon që është i dëmtuar. Megjithatë, do të jenë të gatshëm Ueah dhe Faxholi. Duhet të gjejmë ekuilibrat e duhura në fazën difensive dhe atë ofensive”.

DUGLAS LUIZ- “Kam folur pak me të, por njëkohësisht kam parë një sjellje shumë të mirë. Është me të vërtetë shumë mirë. Për lojtarë të fortë siç është ai, në këto momente nevojitet reagimi sa më parë. Unë këtë gjë e kam parë nga ai. Ai nuk ndalet, vazhdon të stërvitet në mënyrën e duhur dhe kur e shoh kështu edhe vetë qetësohem”.

VLAHOVIÇ- “Dua që të jetë në 100% në të gjitha ndeshjet. Për momentin po mendoj vetëm për ndeshjen me Lacion, të cilën do ta luajë. Për ndeshjet e tjera do të shohim me kalimin e kohës”

PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top