Kombëtarja shqiptare do të luajë mbrëmjen e sotme në transfertë përballë Çekisë, sfidë e vlefshme për raundin e 3-të të Ligës së Kombeve. Ndeshja që do të zhvillohet në Pragë, nis në orën 20:45. Në prag të kësaj sfide ka folur presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
“Skuadra jonë është e mirë dhe mund të garojë në çdo ndeshje. Kemi marrë një rezultat të mirë vitin e kaluar në Çeki. Po në të njëjtën situatë jemi dhe sot pak a shumë si ne dhe ata. Secila nga skuadrat do 3 pikët për të arritur objektivat. Çdo gjë është gati dhe çunat janë në fushë. Shpresoj të na buzëqeshi fati dhe të fitojmë.
Në çdo ndeshje, çdo pikë dhe gol është i rëndësishëm. Të katërta skuadrat luajnë për të katërta pozicionet, duke kaluar një kategori më lart që të ndihmon dhe për Botërorin. Këtu çdo gjë është e rëndësishme dhe nuk mund të thuash që ke përfunduar me objektivat. Ekipet e grupit tonë janë të gjitha në të njëjtin nivel. Humbëm me Gjerogjinë, por sot mendoj të bëjmë një kthesë. Kemi skuadër të mirë.
Rezultati është i vështirë që të arrihet pa performancë të mirë. Dua një performancë të mirë për rezultatin pozitiv e cila është fitorja, por kënaqemi me 1 pikë, pasi mbetemi në garë.
Shqipëri për Botëror? Trajneri padyshim që thërret në çdo ndeshje ato që mendojnë se janë më të mirët. Të gjithë ato që janë në Kombëtare si Tuci apo më të vjetër, janë më të preferuarit dhe më në formë për momentin që mund të ndihmojnë ekipin Kombëtar”, tha Duka.