Ishte ndeshja në të cilën Masimiliano Alegri festoi arritjen e 405 pankinave të Marçelo Lipit me Juventusin.
Madje, pas 3 ndeshjesh mendohej të ishte edhe dita për të festuar 1000 pikët e tij në Serinë A, një arritje e mallkuar sepse ky objektiv jubilar është shtyrë ende dhe me “Konti Maks” që ka ngritur frenat në kuotën 998, pas Empolit, Interit dhe Udinezes. Nëse juventinët morën një tjetër zhgënjim, pas dy humbjeve radhazi përgjegjës është edhe Alegri, i cili deri më tani konsiderohej si arkitekti kryesor i një sezoni mbi pritshmëritë. Së bashku, sigurisht edhe me ata që shkojnë në fushë e lojës.
FORMACIONI – Akuza e parë lidhet me faktin se formacioni titullar nuk shpërbleu besimin e tij. Zgjedhja e anësorit të djathtë ishte një habi për të gjithë, sepse nëse deri më tani atë e kishte bërë Kambiaso, një eksperiment i përfunduar me nota mbresëlënëse, në një sfidë që nuk duhej humbur i jepet besim Ueahsë, ndërsa Kostiç në të majtë as që zbriti në fushë. Pastaj, mbrojtja ishte gjithashtu një gafë e madhe, duke qenë se pa Danilon e skualifikuar u duk se edhe Gati e Bremer dolën nga shinat, por zgjedhja e Alegr Sandros, në vend të Ruganit, me të cilin në fushë Juventusi nuk ka humbur kurrë, përkundrazi ka fituar gjithnjë u duk një bast i tepruar. Dhe më e keqja është se Sandro luajti thuajse deri në fund, por thjesht në shumicën e rasteve jepte ndjesinë se bardhezinjtë luanin me një futbollist më pak.
MENAXHIMI – Fillimisht zgjedhja e zakonshme për të pritur deri në minutën e 60- të për zëvendësimin e parë, sërish nuk është se pranohet, ndonëse kur ai vendosi që të hedhë Jildizin përkrah Kiezës për herë të dytë në këtë sezon, të gjithë patën shpresë, por rezultoi një tjetër gabim. Duke e vendosur edhe Jildizin në të majtë, shpesh herë turku dhe Kieza i shkelën gishtat e këmbëve njëritjetrit më shumë sesa ndihmuan, duke e shtyrë Juventusin që të dëmtonte edhe më tepër veten. Por ka edhe më shumë… Përveç se vonoi zbritjen në fushë të Nikolosi Kavilias në një moment ku i nevojitet të mbante topin, apo nuk i besoi as Miretit, një tjetër pyetje që ngrihet lidhet me afrimin e janarit: Për çfarë e afruan në Torino Alkarazin, nëse nuk i jepet as 20-25 minuta lojë?! Këtë herë Alegri thjesht bëri një lëmsh me zgjedhjet e tij, ndryshe nga e zakonshme, kur tregohet një gjeni dhe shpesh i kanë zgjidhur edhe takimin.
INDIVIDUALITETET – Por jo vetëm Maks meriton të goditet. Nëse analizojmë paraqitjet në fushë, gabimet individuale ishin një tjetër arsye pse Juventusi nuk arriti që ta vërë asnjëherë në këmbë ndeshjen. Duke nisur nga Milik… Polaku nuk shfrytëzoi asnjë nga dy asistent perfekte të marra përpara portës, duke goditur jashtë dhe shumë keq, një herë me këmbe dhe herën tjetër me kokë. Kieza pastaj, që ishte ftuar të luante një shans për të bindur të gjithë, pas një mungesë 2 mujore si titullar, nuk arriti në asnjë moment jo vetëm që të ndizet me shpërthimet e tij, por nuk realizoi dot asnjë goditje në portë. Ndërkohë Ueah… Kur mendon se Juventusi kishte në dorë verën e kaluar që të zgjidhte një mes Ueahsë dhe Markus Turamit të Interit, diferencën mund ta kuptojnë të gjithë.
Fatkeqësia është se Timoti nuk i ka ngjarë aspak të atit, sepse nëse Zhorzh Ueah kur nisej në driblim vetëm Zoti i futbollit mund ta ndalte, Ueahja i ri është shumë naiv dhe shpesh herë nuk kishte siguri në lëvizet që bënte. Ndërkohë Sandro… E lëmë fare më mirë, sepse në mbrëmjen ku barazonte David Trezegenë si lojtari i huaj me më shumë prezenca te Juventusi, ai bën një paraqitje e cila do të mbahet mend si më të dobëtat, duke konfirmuar se dëshira për të luajtur e luftuar i ka vdekur, por mbi të gjitha se edhe epokës së tij te Juvja i ka ardhur fundi. Gjithsesi, nëse të gjithë këta më lart mbajnë përgjegjësinë e tyre, i takon Alegrit që t’i marrë edhe një pjesë të rëndësishme të tyre, pasi urdhrat në fushë, idetë dhe korrigjimet me anë të zëvendësimeve i bën vetëm ai, por ndaj Udinezes thjesht që ishte në gjumë…