Nga dëmtimi i Ismajlit te rikuperimi i Cikalleshit, Silvinjo ka gati planin B për Çekinë

Shqipëria do të luajë më 12 tetor një nga ndeshjet më të rëndësishme në grupin e kualifikueseve të Europianit 2024 që do të zhvillohet në Gjermani. Teksa ditët nga kjo përballje afrohen, Silvinjo duhet të bëjë gati edhe listën e kuqezinjve që do të grumbullohen këtë herë për ndeshjen kundër Çekisë në Tiranë.

Nisur nga raportimet e fundit, braziliani duhet të vlerësojë mirë situatën e tre lojtarëve, të cilët kanë qenë pa fat gjatë ditëve të fundit dhe janë lënduar, duke vënë kështu edhe në rrezik pjesëmarrjen në fushë me ekipin kombëtar. Ardian Ismajli, Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni kanë shfaqur probleme së fundmi.

CIKALLESHI- Sulmuesi pësoi një tërheqje të lehtë më 16 shtator dhe nga testet e kryera është thënë se rikuperimi i tij pritet të jetë 2 deri në 3 javë, çka do të thotë se Cikalleshi është në luftë me kohën dhe do të shihet nëse do t’ia dalë të jetë në kohë më datën 8 tetor, kur Koniaspori do të luajë ndaj Hatajasporit, katër ditë para ndeshjes së Kombëtares. Kavajasi ka zbritur në fushë dhe po punon i diferencuar.

UZUNI- Myrto u zëvendësua gjatë ndeshjes së fundit të Granadës pardje që në pjesën e parë. Sulmuesi shfaqi disa probleme muskulore dhe nga ajo që mësohet është se nuk ka asgjë serioze dhe do të pushojë vetëm disa ditë, duke humbur kështu sfidën me Almerian në fundjavë, por do të jetë i gatshëm për Silvinjon në takimin e tetorit.

ISMAJLI- Mbrojtësi i Empolit nuk do të jetë i gatshëm këtë fundjavë në takimin kundër Bolonjës për shkak të një shqetësimi në kofshë, ndërkohë ditët e ardhshme pritet të vlerësohet edhe situata e tij dhe koha e rikuperimit.

PLANI B I SILVINJOS- Marash Kumbulla është e vetmja mungesë e sigurt e Kombëtares shqiptare në grumbullimin e radhës. Mbrojtësi i qendrës pritet që të rikthehet për Krishtlindje, teksa për në tetor në dyshim është edhe Ismajli.

Ndërkohë, në një situatë të tillë, patjetër që Silvinjo do të marrë masat e tij. Një alternativë padyshim që është edhe Arlind Ajeti, i cili ishte pjesë e grupit edhe në shtator dhe po luan rregullisht me Kluzhin në Rumani.

Por jo vetëm kaq, pasi Silvinjo ka edhe një plan tjetër B. Nëse Ismajli nuk ia del të jetë 100 për qind në 12 tetor dhe Veseli me Ajetin nuk shihen si titullarë nga trajneri brazilian, mundësia është që Klaus Gjasula të tërhiqet mbrapa dhe të luajë si qendërmbrojtës.

Nuk është një rol i panjohur, pasi aktualisht në Bundesligë për Darmshtadin, ai po luan në qendrën e mbrojtjes. Kështu që nuk do të jetë problem farë që të formojë një dyshe me Berat Gjimshitin. Megjithatë, kjo do të varet edhe nga sinjalet që do të japë Ardian Ismajli.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top