Nga sparkatat e Silvinjos ndaj lojtarëve, te “spanjollët” në rikuperim. Ja çfarë ndodhi në ditën e parë të stërvitjes kuqezi (FOTO)

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar dje stërvitjen e parë të mirëfilltë nën urdhrat e trajnerit Silvinjo. Kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin që të dielën pasdite, por dje ishte seanca e parë e mirëfilltë stërvitore me pjesën më të madhe të grupit të pranishëm. Në stërvitjen e djeshme mungonin vetëm Qazim Laçi dhe Naser Aliji, të cilët kanë qenë të angazhuar me skuadrat përkatëse dhe do të bashkohen nesër me ekipin.

Ndërkohë, në fushë nuk kanë dalë as Keidi Bare, Myrto Uzuni dhe Ivan Balliu, të cilët kanë punuar vetëm në ambientet e palestrës, duke bërë ushtrime rikuperuese sepse kanë qenë të angazhuar të dielën me ekipet e tyre. Një nga të fundit që ka mbërritur dje, ishte Nedim Bajrami, i cili sapo mbërriti nga aeroporti në “Shtëpinë e Futbollit”, ku zhvillohej stërvitja, me valixhe në duar, u ndërrua dhe hyri menjëherë në fushë për t’iu bashkuar pjesës tjetër të ekipit.

Ndërkohë, Arbër Hoxha, emri i ri në këtë grumbullim, u stërvit i diferencuar me përgatitësit atletikë, për shkak të ngarkesave fizike që ka marrë gjatë javës së fundit me Dinamo Zagrebin, ku ka luajtur në dy kompeticione. Gjatë fillimit të seancës, trajneri Silvinjo iu bashkua lojtarëve në kuadrat, duke bërë edhe disa ndërhyrje sparkatë. Nga ana tjetër, Berisha, Strakosha dhe Kastrati punuan me Ilir Bozhiqin, trajnerin e portierëve.

Pjesa e dytë e seancës, e pa një grup të lojtarëve të përzihej me disa lojtarë të Kombëtares U-21, duke zhvilluar një ndeshje në fushë të madhe. Në këtë takim, morën pjesë Hysaj, Veseli, Kumbulla, Mitaj, Asllani, Manaj, Seferi, Mersinaj, Broja, Muçolli. Praktikisht, një pjesë e mirë e tyre kanë qenë pa ngarkesë me klubet e tyre dhe për këtë arsye Silvinjo ka preferuar të organizojë një lojë mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top