Shqipëria arriti të merrte një pikë të çmuar në transfertë ndaj Çekisë, duke barazuar me rezultatin 1-1, falë supergolit të Nedim Bajramit. Me këtë barazim, kuqezinjtë e Silvinjos ngjiten në kuotën e 7 pikëve, duke mbajtur vendin e dytë në Grupin E, me një pikë më pak se Çekia kryesuese. Ndërkohë në vend të tretë ndodhet Polonia me 6 pikë.
Kujtojmë që polakët triumfuan ndaj Ishujve Faroe me rezultatin 2-0, falë dopietës së Levandovskit. Në vend të katërt ndodhet Moldavia me 5 pikë, ndërsa tabela mbyllet nga Ishujt Faroe me vetëm 1 pikë në 4 ndeshje. Një renditje që i jep edhe më shumë vlerë sfidës së 10 shtatorit kundër Polonisë. Një përballje që do të jetë si një finale, pasi luhet një pjesë e madhe e kualifikimit, ndonëse pas kësaj sfide mbeten për t’u luajtur edhe tri takime të tjera, me kuqezinjtë që do të sfidojnë sipas radhës më tej Çekinë në shtëpi më 12 tetor, Moldavinë në transfertë më 17 nëntor, për ta mbyllur grupin me ndeshjen në shtëpi, më 20 nëntor kundër Ishujve Faroe.
Kështu përballja me Poloninë ka një rëndësi të madhe për Kombëtaren tonë, e cila edhe në rast barazimi do t’i mbante pas polakët në renditje, pa nënvlerësuar as Moldavinë që të dielën luan në transfertë kundër Ishujve Faroe. Ndërsa një fitore për kuqezinjtë e Silvinjos do të përkthehej në një hap galopant drejt kualifikimit për në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.