Vëmendja e kësaj jave në Itali është e gjitha e përqëndruar te derbi i së shtunës mes Interit dhe Milanit. Dy skuadrat vijnë me pikë të plota pas tre javëve të para të Serie A, teksa zikaltërit ende nuk e kanë pësuar golin e parë.
Portieri Yann Sommer ka qenë tejet komod mes shtyllave teksa zviceriani i transferuar nga Bayern Munich këtë verë, do të tentojë që sërish të mos e nxjerrë topin nga porta e tij. Gardiani 34-vjeçar shprehet se ndeshjet derbi janë shumë speciale dhe se te Inter të gjithë janë gati për të zbritur në fushë.
“Derbit janë shumë speciale, janë të tilla edhe në Gjermani apo Zvicër, por Inter-Milan është unik. Këtë sezon të dyja skuadrat janë me shumë kualitet në organikë, ndërsa sigurisht luhet edhe për prestigj, është një ndeshje që ka shumë rëndësi për Italinë. Mezi pres ta luaj këtë ndeshje, do të jetë drithërues.
Të gjithë janë gati dhe mezi presin orën për të zbritur në fushë. Është një ndeshje që vjen shpejt sa i takon kampionatit dhe gjithçka mund të ndodhë në vazhdimësi. Për titullin do të ketë edhe rivalë të tjerë, nuk është vetëm Milani. Nuk dua të pbëj parashikime mbi renditjen finale të sezonit”, u shpreh Sommer.
Ndeshja mes Inter dhe Milan është programuar të luhet të shtunën në orën 18:00 dhe do të transmetohet në SuperSport.