“Nuk futemi kurrë për barazim”, Sylvinho me “armë” sekrete: Qazim Laçi luan nëse më jep informacion

Kombëtarja shqiptare do të luajë këtë të premte përballë Çekisë, sfidën e vlefshme për Nations League. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Epet Arena” të Pragës, do të startojë në orën 20:45. Në prag të kësaj sfide ka folur dhe trajneri i kuqezinjve, Sylvinho.

Jemi aq të fortë për të përballuar Çekinë me këto mungesa që kemi, a vijmë këtu për fitore?

“Do të jetë një sfidë e rëndësishme pasi Çekia është e ashpër dhe e fortë fizikisht. Ka lojtarë të mirë si Soucek dhe Coufan, të cilët mund të shënojnë dhe gola. Kanë sulmues të fortë. Kemi bërë 3 ditë përgatitje dhe asnjë trajner nuk e përgatit për barazim, futemi në fushë për të dhënë më të mirën”.

Ju shoh të menduar shumë, ka të bëjë me gjendjen e skuadrës, formacionin, me çfarë ka të bëjë?

“Puna në Kombëtare është e tillë pasi janë 10 ditë për të punuar, 2 transferta. Janë pak ditë për t’u përgatitur. Kemi pak kohë që po shohim kundërshtarin, por e kemi mbyllur pak a shumë formacionin. Nuk kemi kohë për të humbur, kemi realizuar stërvitje, por jemi të bindur për t’u futur në fushë dhe për të dhënë më të mirën”.

Para disa kohësh latë jashtë një lojtar si Sokol Cikalleshi. A do të jetë e vështirë që tani kemi probleme në majën e sulmit pasi “9” i vetëm tipik është Mirlind Daku?

“Po flasim për një sulmues 9. Një muaj më parë kishim Manajn dhe jo Dakun, ndërsa tani është e kundërta. Po flasim për lojtarë që i kishim në Europian. Janë lojtarë të mirë, por me karakteristika të ndryshme. Nuk është e gjithë puna e Kombëtares vetëm në 10 ditë, gjithë stafi punon në kohë të zgjatur. Nuk punojmë vetëm me 23 lojtarë, por është një listë e gjatë pritje. Këtë herë kemi marrë Tucin që luan këtu në Çeki. Është lojtar i mirë. Nuk luan si 9 tipik, por si trekuartist dhe mesfushor i avancuar. Por unë nuk besoj në eksperimente, por në mundësitë që i jepen. Nuk ka rëndësi sa minuta luan por të japësh për Kombëtaren. Nëse kemi vështirësi me Dakun, stafi punon dhe gjen zgjidhje”.

Seancën zyrtare e bëtë në Tiranë dhe jo këtu, është frikë apo çfarë?

“Ishte thjeshtë çështje logjistike, këtu duhet të ishim në orën 5. Dhe në rast të një vonese për të mos humbur stërvitjen, vendosëm që ta realizonim në shtëpi. Ishte diçka logjistike”.

A keni marrë informacione nga Qazim Laçi për Çekinë? A do të luajë ai nesër?

“Nuk i kam kërkuar informacione për shokët e tij të ekipit te Sparta. Por nëse ai luan nesër apo jo, do të varet nga informacionet që do të më japë ai (qesh)”.

Si Bajrami dhe ju përmendni forcën e kundërshtarit. Si na shohin ata, a jemi në të njëjtin nivel dhe a jemi të vështirë për ta?

“Kundërshtari është një ekip i vështirë që luan në nivele të larta, në Botërore dhe Europiane. Ne jemi përmirësuar, por duhet akoma më tepër. Kemi lojtarë të mirë që luajnë në nivele të larta, si Bajrami te Rangers. Ne kemi lojtarë shumë të mirë dhe do të kemi një ndeshje mjaft të bukur. Në këtë ndeshje nuk ka inferiore, jemi skuadra të ndryshme. Ne jemi skuadër që po përmirësohemi, bëmë një Europian të mirë. Nuk dua të bëj paralelizma, ky është rrugëtimi ynë dhe duam të ecim përpara”.

Para 24 viteve keni luajtur me Arsenalin këtu në Pragë dhe kundër Spartës keni shënuar një gol. Nëse e mbani mend çfarë ndjenje keni për këtë rast?

“Ka qenë një ndeshje me emocione dhe e bukur. Koha kalon shumë shpejt dhe çdo ditë duhet ta shohim si një dhuratë për të bërë mirë. Sot ka qenë një ditë e gjatë dhe po bisedoja me stafin, ka qenë një gol i bukur. Tashmë jemi në një stad tjetër. Si unë dhe trajneri i Çekisë do të donim të ishim në fushë për të luajtur, por jemi pak të vjetër për atë gjë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top