Armando Broja duket se ka lënë pas momentin e vështirë, teksa është rikthyer më i fortë se kurrë. Ylli shqiptar gjeti rrugën e rrjetës me fanellën e Çelsit pas plot 359 ditësh, duke rikthyer blutë e Londrës te fitorja në derbin ndaj Fulhemit, që përfundoi me rezultatin 0-2.
Sulmuesi 22-vjeçar, foli pas kësaj përballje speciale për mikrofonin e “Sky Sport”, teksa u shpreh:
“Është një fitore që na jep një dozë të madhe besimi neve si skuadër, pro edhe klubit. Ndryshuam shumë këtë verë, duke ndërtuar një skuadër të re, ndaj edhe është e nevojshme për pak kohë për të njohur njëri-tjetrin. Është gjithmonë e vështirë kur ke futbollistë të rinj dhe staf të ri, por ne jemi duke treguar se tani ndihemi mirë dhe kjo fitore është një karikim me besim për të ardhmen
Goli? Është fantastike. Si sulmues, unë dua të shënojë gjithmonë, në skena të mëdha dhe në momente të mëdha. Një ndjenjë e pabesueshme të shënosh gol në një derbi. Ishte fantastike të merrnim tre pikët. Unë jam këtu për të luajtur për skuadrën, për të ndihmuar shokët dhe për të shënuar sa herë që të më jepet mundësia.
Fitoret sjellin besim dhe pozitivitet në grupin e futbollistëve, në klub, por edhe në raport me tifozët. Është shumë e rëndësishme të fitosh dhe shpresoj të vazhdojmë në këtë rrugë.
Dëmtimi? Nuk ishte dëmtim, por lodhje dhe kërkova zëvendësim. Nuk i kam ende 90 minuta në këmbë ”, deklaroi Broja.