Epoka e BBC (Bonuçi, Barzali, Kielini) lin di nga një ide e Antonio Kontes në një ditë të ftohtë të marte në fundin e nëntorit 2011. Nuk ishte ndeshja e parë që Barzali, Bonuçi e Kielini luanin së bashku, por e para që ata bashkëpunuan në një mbrojtje me tre. Tre pozicione që më pas u kristalizuan me akronimin “BBC”, Barzali në të djathtë, Bonuçi në qendër dhe Kielini në të majtë. Kështu i zgjodhi rolet e tyre Antonio Konte përpara sfidës me Napolin dhe më pas gjithçka u kthye në histori. Nga një triumf në tjetrin, BBC u kthye në një nga mbrojtjet më të mira në histori. Dhe nga pas tyre, ishte një tjetër B, një legjendë e portës, as më pak dhe as më shumë, por Xhixhi Bufon.
MIQËSIA- Në “Festivalin e sportit” në Itali, treshja legjendare e Juventusit bëhen bashkë për të na treguar disa prapaskena më shumë rreth aventurës së tyre dhe komenti i parë vjen nga Kielini.
“Jemi ndjerë menjëherë mirë me njëri-tjetrin. Kur ishim bashkë kemi dhënë më shumë nga çfarë mund të jepnim kur ishim vetëm me partnerë të tjerë”. Nga ana tjetër Barzali preferon të jetë modest kur pyetet nëse ata ishin treshja më e mirë në mbrojtje
. “Ne kemi bërë një rrugëtim plot triumfe. Kemi bërë shumë për futbollin italian, por nuk e di nëse jemi ndër mbrojtëset më të mëdhenj ose jo. Nuk na takon neve ta themi”. Pas këtyre fjalëve vjen edhe një mesazh nga Antonio Konte, trajneri që i bëri bashkë.
“Ne bëmë një evolucion taktik me Leon që ndihmonte shumë në fazën sulmuese. Kur ke lojtarë të fortë si ata, nuk mund të lësh asnjë jashtë”, shprehet Konte që më pas i lë radhën Bonuçit i cili kujton herën e parë kur luajti me një sistem të tillë loje. “Ne e provuam këtë sistem dy ditë përpara Napolit dhe dua vetëm të falënderoj Konten. Ai më ndryshoi karrierën”, thotë Bonuçi që më pas shton: “Edhe kur na kalonin ne, prapa ishte Bufoni i pakalueshëm”. Kur ishin të tre së bashku në mbrojtje, ata pësonin një gol çdo 144 minuta, madje në disa momente dukej si një mbrojtje e pakalueshme dhe këtë gjë e rikujton edhe Kielini: “Njësoj si në Barcelonë, në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, isha i sigurt se ata nuk do të na shënonin dot kurrë gol”. Dhe kështu ndodhi ndeshja përfundoi 0-0. Por nga ajo kohë kanë edhe kujtime të hidhura. 2 finale të humbura në Ligën e Kampioneve të cilat i kujton Xhixhi Bufon. “Falë BBC-së kam luajtur disa vite më shumë. Na ka ardhur shumë keq kur nuk kemi fituar Champions-in, por kemi bërë një rrugëtim të madh deri në finale”.
JUVJA TANI- “Na ka argëtuar shumë. Juventusi e nis sezonin gjithmonë me objektiv për t’u shpallur kampion. Megjithatë i duhet ende kohë”, shprehen njëzëri Bonuçi e Kielini që me kalimin e kohës të gjithë janë larguar nga futbolli i luajtur, por duke lënë pas shumë histori.
PANORAMASPORT.AL