Trajneri i Partizanit, Veselinoviç, ka folur në prag të ndeshjes që Partizani do të luajë me Teutën.
Ky takim do të marrë jetë nesër në orën 18:00, pikërisht në stadiumin “Arena e Demave”. Veselinoviç deklaroi:
“Nëse do mendojmë përsa i përket euforisë, do bënim një gabim mjaft të madh, duhet të jemi serioz ndeshje pas ndeshje. Pas ndeshjes me Skënderbeun, kemi zhvilluar seancën stërvitore dhe të gjithë kanë qenë të gatshëm. Janë shumë pak ditë dhe përpara na pret ndeshje e vështirë si Teuta dhe duhet të jemi të përqëndruar në maksimumin tonë. Kam respekt për Teutën. E respektoj Teutën sepse ka zhvilluar ndeshje mjaft cilësore, përballë kundërshtarëve si Elbasani dhe Tirana.
Nga ajo ndeshje kanë kaluar disa javë, mendoj do jetë ndeshje ndryshe nga ajo që zhvilluam në Durrës. Nuk e mendoj aspak në këtë moment vendin e parë duke parë se skuadrat janë të ngjeshura. Çdo ditë ne flasim me lojtarët, nuk duhet ta shohim tabelën por të përqëndrohemi në punën tonë dhe të përmirësohemi. E kam thënë shpesh që duke para situatën në tabelë, ajo mund të ndryshojë. Nuk e kemi luksin të kemi relaks, përsa i përket dhe pozicionit të vendit të parë. Vllaznia është afër nesh, po ashtu dhe skuadrat e tjera. Do të jetë një luftë e fortë psikologjike për të gjitha skuadrat që do i rezistojnë vendeve të para në klasifikim.
Kemi disa probleme me lojtarët, çdo ndeshje ne nuk kemi të disponueshëm 3, 4 apo 5 lojtarë. Të gjithë presin shansin e tyre. Dhe shpresoj që të paktën pas 2 muajve ta kemi listën e plotë. Kemi pothuajse të gjithë lojtarët, të cilët të gjithë i konsideroj titullarë, por mendoj kemi disa probleme.
Sigurisht që respektoj kundërshtarët, por aktualisht duhet të adoptojmë lojën. Unë përgjatë profesionit tim si trajner i kam respektuar kundërshtarët. Po ashtu pres të njëjtën gjë dhe nga Teuta, dhe ne të kemi të njëjtin respekt.
E kam thënë disa herë në konferenca që një lojtar mund të shënojë 40 gola dhe skuadra mund të jetë poshtë në renditje. Nëse skuadra nuk përgatitet për shumë lojtarë që të shënojnë, ne mund të humbim ambiciet tona. Bintsuka dhe Mba janë të dy lojtarë shumë fantastikë, djem shumë të mirë, luftojnë për skuadrën në çdo ndeshje.
Për mua si trajner nuk është problem nëse lojtari shënon 5, 20, apo 30 gola. Për mua është shumë e rëndësishme çfarë bën në fushë në çdo moment, nëse mendon për të gjithë ekipin. Mund t’u tregoj në çdo situatë se si luftojnë për ekipin, në presing të lartë apo qëndrojnë kur tërhiqemi, në goditje standarte, kur kemi krosime në fazë ofensive apo mbrojtëse, dua të shoh që të mundohen për ekipin.
Për shembull në ndeshjen e kaluar Zeka nuk ndjehej shumë mirë, Cara ishte pak i lodhur se kishte vetëm pak kohë mes ndeshjeve. Rrapaj, i cili është një lojtar fantastik, ishte i skualifikuar. Kote i cili luajti shumë mirë ndaj Skënderbeut, Keko bëri shumë mirë. Bintsuka ishte në të djathtë, Mba në qendër. Ajo ishte zgjedhja e momentit për ekipin.
Nuk është e rëndësishme se kush luan, sepse e dimë se ndryshojnë pozicione në varësi të ndeshjes. Pas dy muajsh mund të them se kemi një grup më të zgjeruar lojtarësh. Ndonjëherë mund t’i përdor bashkë Bintsuka dhe Mba, por disa herë do të ruajmë gjërat për veten në dhomat e zhveshjeve.
Për mua është Partizani i rëndësishëm, jo nëse shënon babai im nga Kroacia, miku im i ngushtë nga Serbia, Olsi apo tjetër. Për mua është e rëndësishme që të shënojë Partizani.
Nëse do të pyesni trajnerët e skuadrave të tjera, të gjithë do thonë se kanë skuadrën më të mirë. Në takimin e parë që kam pasur me lojtarët, i kam thënë për mua jeni lojtarët më të mirë në botë. Mendoj nuk është aspak korrekte të komentoj skuadrat apo trajnerët e tjerë. Mendoj në Ballkan pothuajse jemi të gjithë komshinj, por unë mendoj të mendojmë vetëm për veten tonë.
Derbi i radhës mendoj se për ne është ndeshja e radhës me Teutën. Gjithashtu jam mjaft i kënaqur nga mbështetja e tifozëve dhe i kërkoj tifozëve të vazhdojnë me të njëjtën mënyrë, ta mbështesin skuadrën gjithmonë dhe më fort. Besoj se duke parë që lojtarët kanë motivimin maksimal, mendoj se e meritojnë një mbështetje siç ka bërë tifozëria deri tani”, u shpreh Veselinoviç.