“Partizani ka më shumë eksperiencë, por uroj të fitojë Vllaznia”, Klod Duro: Ja cili është trajneri më i mirë në Superiore

Vllaznia – Partizani do të jetë supersfida e javës së 10-të të Superiores. Ndeshja që do të luhet këtë të shtunë në stadiumin “Loro Boriçi” do të startojë në orën 19:30.

Në prag të kësaj sfide në një intervistë ekskluzive për “Newsport.al” ka folur ish-i i të dyjave këtyre ekipeve, Klodian Duro. Ky i fundit thotë se Partizani është një ndër pretendentet për t’u shpallur kampion, teksa për këtë sfidë, Duro shpreh dëshirën që ta fitojnë shkodranët.

Ndër të tjera, 46-vjeçari thotë se Ilir Daja është trajneri më i mirë në kampionatin shqiptar. Teksa me plot modesti thotë se në Superiore momentalisht asnjë futbollist nuk është si Duro në kulmin e karrierës së tij. Gjithashtu, ish-futbollisti i Kombëtares ka folur edhe për ecurinë e kuqezinjve të Sylvinhos në Nations League.

Faze e parë e Superiores u mbyll me Partizanin kryesues, si ju duket kampionati deri më tani?

Është zhvilluar një fazë e parë e ekuilibruar ku të gjithë ekipet u munduan që të tregonin veten e tyre. Por nuk është një ekip i vetëm që bëri dallimin. Hera-herës në javë të ndryshme ekipet filluan që të merrnin kryesimin. Por siç e tregoi dhe përfundimi, Partizani edhe pse nuk e nisi mirë e mbylli këtë fazë në krye. E nisi mirë Vllaznia e kryesoi gjatë pjesës më të madhe, por në fund Partizani me rezultatet e tij mori vendin e parë dha ta mbyllte këtë vazë si kryesues.

Cilin sheh Duro si pretendentin kryesor për t’u shpallur kampion?

Me këtë që kanë treguar të gjitha ekipet në fazën e parë, akoma asnjë ekip nuk ka bërë diferencën për ta quajtur pretendent për kampion. Mendoj se deçizive do të jetë faza e dytë dhe më pas merkato e janarit ku ndoshta ekipet mund të përforcohen akoma më tepër. Atëherë do të kemi panoramë të qartë se kush do të jetë pretendent kryesor për kampion. Por në këto momente, normalisht që ekipet kryesore si Partizani, Egnatia që kanë stabilitet në lojën e tyre. Por shoh edhe Vllazninë që mundohet të bashkangjitet apo Dinamo me Elbasanin që ka ardhur nga Kategoria e Parë dhe që në këto momente kanë treguar stabilitet në ndeshjet e tyre. Siç e thashë në janar me perforcimet që do bëhen, do të shohim një pretendente për kampion.

Java e 10-të na sjell supersfidën mes Vllaznisë dhe Partizanit, kush triumfon në “Loro Boriçi” dhe pse?

Normalisht do të thoja që është ndeshja kryesore e kësaj jave pasi janë dy ekipe me histori në kampionatin shqiptar. Mendoj që do të zhvillohet një ndeshje e luftuar dhe shumë e bukur për t’u ndjekur siç e kanë treguar gjatë gjithë kohës. Do të jetë një lojë e hapur deri në fund dhe mendoj që ekipi që do të gabojë më pak do të ketë dhe mundësinë për ta fituar këtë ndeshje. Uroj që Vllaznia edhe me mbështetjen e tifozerisë të zjarrtë shkodrane do të rikthehet te fitorja nëse korrigjon gabimet e ndeshjes me Laçin.

Keni luajtur si me shkodranët ashtu dhe me Partizanin, për cilin prej ekipeve keni më shumë “dashuri”?

Unë kam luajtur gjatë karrierës sime fillimisht me Vllazninë dhe më pas për pak kohë edhe me Partizanin. Sigurisht që kam emocionet dhe kam kaluar shumë mirë me të dyja këto ekipet, fatmirësisht. Por sigurisht që Vllaznia ka një vend të veçantë në zemrën time pasi për dy vite kam qenë pjesë e shkodranëve dhe mbi të gjitha jemi shpallur kampion. Ndërsa për Partizanin thjesht jam aktivizuar për fazën e parë të kampionatit 2003-2004 dhe sigurisht akomë më i kënaqur pasi Partizani atëherë e mbylli në vendin e dytë kampionati, por arriti të fitonte dhe Kupën e Shqipërisë.

Vllaznia apo Partizani, cili ekip ka organikë më të plotë?

Unë mendoj që në këto momente organikën më të plotë e ka Partizani dhe ka lojtarë më me eksperiencë në kampionatin shqiptar pasi kanë 2-3 vite që pak a shumë luajnë me njëri tjetrin. Pavarësisht dy largimeve kryesore si Murataj dhe Maguette, Partizani në syrin tim ka eksperiencë dhe organikë më të plotë. Vllaznisë i duhen 2-3 ndërhyrje të forta dhe të plota në merkaton e janarit për të qenë pretendente kryesore për titullin kampion ashtu si dhe Partizani.

Cili futbollist mendoni se është më i miri i Superiores?

Nuk do të thoja që ka një futbollist për ta cilësuar si më të mirin e Superligës. Por ndoshta mund të përmend disa që bëjnë diferencën në ekipet e tyre. Janë Cara dhe Rrapaj te Partizani, Zejnullai te Egnatia, Zabërgja te Dinamo, Edon Hasani te Elbasani apo Balaj e Mala te Vllaznia.

Po më të mirë se Duro (në kulmin e karrierës) a ka në kampionatin shqiptar?

Për të qenë i sinqertë, nuk shoh një të tillë. Do të më pëlqente, por nuk shoh si Duro në kampionatin shqiptar. Kohët ndryshojnë dhe vitet ecin, por normalisht me thënë të drejtën në kohën time kur luaja në Superiore ishim 2-3 lojtarë që bënim diferencën dhe ishim titullarë edhe në Kombëtare, gjë që mungon tani për momentin. Akoma asnjë futbollist nuk bën dot diferencën në kampionatin shqiptar që të jetë i aftë të luajë në ekipin Kombëtar. Pa modesti, nuk shoh asnjë futbollist që mund të bëjë diferencën ashtu siç e bënim ne.

Sipas jush, kush është trajneri më i mirë në Superiore momentalisht?

Superiorja ka trajnerë të mirë që mundohen të lënë impakt tek ekipet e tyre. Por unë mendoj që impaktin më të madh dhe atë që do ta quaja si më të mirin e Superiores është Ilir Daja. Ai erdhi dhe e mori Dinamon në vazhdim të fazës së parë dhe nga luhatjet e saj në rezultate, arriti të kishte impakt në ekip dhe ta ngrinte lart në tabelën e klasifikimit. Është trajner që ende nuk e provuar shijen e humbjes.

Le ta mbyllim me Kombëtaren, si e shihni ecurinë në Nations League dhe a mendoni te kualifikimi i kuqezinjve në Ligën A të këtij kompeticioni?

Mendoj që Shqipëria e nisi mirë fushatën e Nations League me atë fitore me Ukrainën 2-1. Pastaj pati dy momente jo të mira humbja me Gjeorgjinë brenda dhe me Çekinë në transfertë. Por sigurisht që kjo fitore e fundit në Gjeorgji i tregoi të gjithëve se Shqipëria u rikthye te rezultati pozitiv. Mbi të gjitha më pëlqeu vendosja dhe loja e mirë e ekipit. Kjo ndeshje i jep besimin stafit teknik dhe trajnerit Sylvinho, por edhe gjithë futbollistëve dhe ambientit kuqezi. Mendoj se në nëntor me Çekinë dhe Ukrainën në shtëpinë tonë të bëjmë këtë lojë të grupit që lojtarët shprehën në Gjeorgji. I kemi të gjitha mundësitë që të jemi të parët e grupit në këtë Nations League. Uroj dhe shpresoj që nëntori të jetë një festë, pasi është dhe muaji jonë ku kemi shumë festa si ajo e Pavarësisë. Shqipëria të dhurojë dy ndeshje të mira në fitore dhe me vendin e parë në grup. Të vazhdojmë atë rrugë të mirë dhe atë shije të mirë që na jep ekipi Kombëtar dhe mbi të gjitha pasi luajmë në “Air Albania” me tifozerinë tonë. Uroj shumë që të kemi një fund të lumtur. /Nikoll RAJTA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top