“Pas humbjes në Poloni kuptova që do…”, Silvinjo: Realizuam një ëndërr, nder që drejtoj Shqipërinë

Pasioni për futbollin dhe ngjashmëria e brazilianëve me shqiptarët. Ky është gërshetimi që sipas Silvinjos ka bërë të mundur një sukses të tillë si kualifikimi në Europianin e Gjermanisë.

Duke folur për mediat pas ndeshjes, trajneri i Kombëtares shprehet se kjo ishte një ëndërr e madhe e realizuar, falë punës së të gjithëve. 49-vjeçari ka falënderuar të gjithë lojtarët, edhe ata që nuk u aktivizuan në këto kualifikuese, por një falënderim ai e ruajti edhe për dy ish-trajnerët, Panuçi dhe Reja.

Mistër, jemi në Europian, si ndiheni pas kësaj arritjeje?

Meritë e djemve dhe të gjithë njerëzve që na kanë mbështetur, është nder të jem trajneri i Kombëtares së Shqipërisë dhe të ndiej pasionin e njerëzve. Gjithçka është shumë e bukur. Nuk është vetëm Silvinjo, janë Zabaleta, Doriva, Bulku i gjithë stafi. Më shumë se taktika janë pasioni dhe dashuria për futbollin, ka pasion në punën tonë. Rezultati nuk vjen shpejt, ne kemi bërë një punë të mirë dhe kemi marrë rezultat, është një kombinim i mirë.

Jeni brazilian, por në Shqipëri ju kanë cilësuar si një trajner që është shqiptarizuar më shumë se të gjithë…

Jam shumë i lumtur. Është një ëndërr e madhe që është realizuar. Falënderoj të gjithë për mbështetjen. Ne brazilianët kemi një ngjashmëri me Shqipërinë. Krijojmë një marrëdhënie të afërt me njëritjetrin, një marrëdhënie të ngrohtë. Këtë gjë e mësova kur erdha në Shqipëri. Aty janë si te ne, e hapin derën për mikun, rrinë dhe hanë bashkë dhe ndihem shumë i lumtur. Është bërë një punë e madhe.

U shqetësuat në ndonjë moment që të mos dilnit me pikë, ishte një ndeshje e luftuar, patët dyshime në ndonjë çast?

Po, kur pashë lojën e skuadrës moldave, që janë të fortë në ajër, fitonin duele. Edhe kur ne kishim topin, ata na e vështirësonin disi. Pastaj hidhnin një top të gjatë në zonë dhe mund të merrnin një penallti ose të shënonin gol. Moldavia po luante për gjithçka, nuk kishin çfarë të humbnin. Luanin me topa të gjatë dhe ishte e vështirë, ata nuk kanë humbur në shtëpi. Kanë humbur vetëm një ndeshje në kualifikuese, kundër nesh në Shqipëri. Ishte e vështirë. Dua t’i uroj suksese trajnerit të tyre, luajnë shumë mirë dhe kanë humbur vetëm një ndeshje deri tani me ne. Më të vështirët në lojën në ajër.

Kur e kuptuat se kjo skuadër do të kualifikohej?

Isha i bindur që ishte një grup i vështirë dhe të gjitha skuadrat mund të merrnin pikë. Mendoj se momenti vendimtar ishte pas ndeshjes me Poloninë dhe nuk e meritonim humbjen, aty ndryshoi sjellja e lojtarëve. Ishte moment kyç.

Si lojtar keni fituar Ligën e Kampioneve, por si trajner jeni kualifikuar me Shqipërinë në Europian. Si janë ndjesitë?

Si futbollist është e pabesueshme dhe fantastike të fitosh Champions-in, por edhe si trajner të shkosh në Europianin e 2024 është po aq fantastike dhe e pabesueshme.

Keni bërë një fushatë të mirë kualifikuese, e kishit menduar se do të kualifikoheshit?

Skuadra ka luajtur mirë. Është kualifikuar. Kemi bërë një progres të madh. Por, dua të falënderoj të dy trajnerët që kanë qenë më parë këtu. Panuçin dhe Rejën, që e kanë nisur këtë projekt. Unë e mora ekipin pas tyre dhe ia dolëm mbanë. Përveç tyre, dua të falënderoj 24 lojtarët që ishin këtu me ne, por edhe ata futbollistë që kanë qenë të paktën një herë me ne si: Simoni, Hadroj, Ajeti, Selahi, Aliji, Broja, Çuni, Sherri, Mihaj, Roshi, Abrashi, Lenjani.

A do të kemi ndryshime në emra, apo ky grup do të jetë edhe në Europian?

Kombëtarja është e hapur për lojtarë të rinj, kemi një skuadër të konsoliduar, por kjo është puna e një kombëtareje, jemi gati të presim lojtarë që janë në formë. Gjimshiti e meriton shumë këtë moment, është shembull për të gjithë ne.

A do ta fitojmë Europianin?

Ndeshja e radhës është kundër Ishujve Faroe.

Duke filluar nga Broja që nuk e keni pasur në dispozicion këto kualifikuese, në ndeshjen e fundit ndaj Sitit u bë protagonist. Çfarë prisni më shumë nga ai?

Para së gjithash, e kemi thënë në konferencën për shtyp para kësaj ndeshjeje. Ka pasur një dëmtim të gjatë, ka luajtur shumë pak me Çelsin. E fundit ishte me Sitin. Duhet ta respektojmë, është një lojtar kalibri. Nuk jemi makineri, jemi njerëz. Duhet të mendohemi për Europianin dhe të mbyllim njëherë ndeshjen me Ishujt Faroe. Pastaj do të ulemi me stafin teknik dhe do të fillojmë sërish punën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top