Kombëtarja shqiptare ka mbyllur pasditen e djeshme përgatitjet në qendrën stërvitore në Kaiserau në kuadër të sfidës së dytë në grupi B në Euro 2024. Kuqezinjtë do të sfidojnë nesër Kroacinë në orën 15:00.
Një duel shumë i rëndësishëm për Sylvinhon dhe “djemtë” e tij, ku fitorja është mëse e detyrueshme për të mbajtur “gjallë” shpresat për kalimin e grupit. Si kuqezinjtë edhe kroatët kanë humbur sfidat e para përkatësisht ndaj Italisë dhe Spanjën dhe në duelin mes tyre do të luftohet “kokë më kokë’ për 3 pikët.
Për këtë sfidë e cila konsiderohet si “jetë a vdekje” për Kombëtaren tona, ekipi paraditen e sotme është nisur drejt Hamburgut. Ekipi pritet të mbërrijë gjatë mesditës, teksa do të zhvillojë edhe seancën e parë stërvitore në stadiumin ku do të luhet sfida. Kështu futbollistët në orën 18:30 do të shkelin në “Volkspark” për t’iu dhënë dorën e fundit përgatitjeve për këtë sfidë.