Dueli i 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë ndërmjet dy Shkëndijave do të jetë moment i veçantë për të riun 19 vjeçar Amir Nuhija.
Mesfushori defensiv që gjendet mirë edhe si mbrojtës i krahut të djathtë është pikërisht nga Haraçina dhe fati i shortit deshti që ti japë mundësinë të luajë përballë ekipit nga fshati i tij.
Ai flet me respekt për Shkëndijën tjetër, derisa duelin e pret me shumë kënaqësi dhe besim ae gara sportive në fushë do të shoqërohet nga atmosfera festive nga dy tifozeritë në tribuna.
Përballja luhet në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 14:00.
Amir Nuhij, thotë: “Në skuadrën tonë mbizotëron atmosferë shumë e mirë dhe presim me kënaqësi duelin me Shkëndijën e Haraçinës. Në fushë do të dalim për të fituar. Sigurisht, ne kemi ambicie për të fituar dy trofetë, si kampionatin ashtu edhe Kupën.
Prandaj mendojmë vetëm për fitore për të vazhduar në fazën e radhës në rrugëtimin drejt finales. Realisht nuk e kisha menduar asnjëherë se do të luaj ndaj klubit nga fshati im, por ja befasisht ndodhi në short.
Është mundësi e mirë, ndjenjë e bukur të ndeshem me klubin e fshatit tim, Shkëndijën e Haraçinës, kemi miqësi e njohje por kur të nis loja normal secili mendon për llogaritë e veta dhe për fitore. Nuk ka vend për emocione në fushë, dalim për të bërë punën tonë dhe për të fituar.”
Ai flet edhe pritjet: “Pres numër të madh të publikut, tifozët tanë dhe sigurisht edhe mysafirë.
Të jetë atmosferë festive ndërmjet dy klubeve vëllezërore.
Ne do ta japim maksimumin dhe uroj të kënaqim spektatorët. Normal, ne synojmë fitore”.
Familja me Amirin apo Shkëndijën e Haraçinës…
Amir Nuhija, përgjigjet: “Me Amirin normal. Haha (qeshet). Shkëndija jonë fiton nesër”.