Sukseset më të mëdha të Zhoze Murinjos si trajner padyshim janë, Championsi i fituar në mënyrë surprizë me Porton në sezonin 2003-2004, dy tituj kampionë radhazi me Çelsin në Angli dhe tripleta e famshme me Interin në 2010-ën.
Megjithatë periudha pas 2010-ës nuk ishte më e njëjtë për portugezin, që është shkarkuar nga të pesë klubet që ka drejtuar në 14 vitet e fundit.
I pari që i tregoi derën ishte Reali i Madridit, që vendosi të mos respektojë kontratën e vlefshme deri në 2016-ën dhe ta shkarkojë në qershor të 2013-ës, pas përplasjeve të tij me Iker Kasijas dhe Serxho Ramos.
Ai u rikthye në pankinën e Çelsit dhe udhëhoqi skuadrën drejt triumfit në Premier Ligë. Edhe aventura e dytë te londinezët përfundoi me shkarkim, pasi më 17 dhjetor të 2015-ës Abramoviç vendosi t’i japë duart portugezit.
Vetëm 6 muaj pushim dhe portugezit iu besua ringritja e Mançester Junajtid por në të cilin dështoi pasi u shkarkua më 18 dhjetor të 2018-ës.
Thuajse një vit më vonë, luzitani mori drejtimin e Totenhemit, në një aventurë që zgjati thuajse 18 muaj, pasi u shkarkua në prill të 2021-shit.
Në verën e 2021-shit portugezi mori drejtimin e Romës ku arriti të fitojë Ligën e Konferencës ndaj Fejnordit në Tiranë. Një vit më vonë, një tjetër finale Europiane, këtë herë në Ligën e Europs ku humbën ndaj Sevijas.
Rezultatet jo të mira këtë sezon dhe humbja e fundit ndaj Milanit bëri që drejtuesit ta shkarkojnë sot nga pankina e Romës.
Plot pesë shkarkime radhazi për Zhoze Murinjon, që nuk ka fituar një trofe të rëndësishëm (kampionat apo Champions) që prej vitit 2016. A mund të quhet më “Special One”?