I ftuar në “Festivalin e Sportit”, presidenti i Milanit, Paolo Skaroni, foli për historinë e fundit të kuqezinjve, por edhe për buxhetet dhe projektin që lidhet me stadiumin e ri. Më poshtë deklaratat e tij.
RRITJA E MILANIT – “Prej 6 vitesh jam president i Milanit. Kur hyra në bordin drejtuesi kishim një xhiro më pak se 200 milionë euro, ndërsa tani kemi më shumë se dyfishin (450 mln). Aspekti ekonomik është vetëm një pjesë e suksesit. Nëse nuk fitojmë ndeshjet nuk do të shkojmë askund. Deri pak kohë më parë kishte presidentë si Berluskoni dhe Morati që investonin miliona në klubet e tyre në fund të sezonit për të rregulluar gjërat. E ngrita këtë çështje të qëndrueshmërisë ekonomike mes 2016 dhe 2017. Tashmë është një element kyç për klubet e futbollit. Nëse shikoj prapa, mendoj se kam qenë një pararendës edhe për stadiumet”.
STADIUMI I RI – “Para disa vitesh kur flisja për “San Siro”-n dhe propozoja ta prishnin dhe të ndërtonin një impiant të ri, më shikonin sikur isha i çmendur. Në Angli eliminuan “Wembley”-n, që është edhe më prestigjoz se “San Siro” ynë i dashur. Klubet kanë nevojë për stadiume moderne, jemi shumë vite prapa në krahasim me klubet jashtë Italisë. Ky koncept i stadiumit modern tashmë u ka shkuar në mendje të gjithëve. Hipoteza që po shqyrtojmë me kujdes është ajo fillestare: ndërtimi i një stadiumi të ri në zonën e “San Siro”-s, duke i siguruar qytetit një stadium të ri. Gjithsesi, tani po mbajmë në sy edhe hipotezën tjetër, atë të San Donato Milanese. Tashmë kemi shpenzuar 40 milionë euro për atë projekt”.
NEVOJAT E SERISË A – “Kemi absolutisht nevojë për të modernizuar konceptin e futbollit. Kam kaluar nëpër dy pronarë amerikanë dhe kur një amerikan trajton çështjet e futbollit italian mendon se jemi me dekada prapa futbollit modern. Seria jonë A nuk është më ajo që ishte 30 vjet më parë, përpara ishim lider, tani nëse gjërat shkojnë mirë jemi në vendin e tretë”.
PANORAMASPORT.AL