Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në një postim të fundit ka uruar djemtë e Kombëtares U-21 që mbyllen kualifikueset për Euro2025. Ai gjithashtu, ka uruar dhe stafin teknik të “Shpresave” për fitroen me Armeninë disa orë më parë.
Duka shpreh paksa zhgënjim në fjalën e tij duke thënë se Kombëtarja e Bushit mund të kishte arritur t’a mbyllte në vend të dytë grupin e saj, por i mungoi fati. Gjithsesi, Presidenti duket i kënaqur me kuotën e pikëve në “garazh”, duke parë kundërshtar si Zvicra, Rumania apo Finlanda.
Kreu i Federatës thekson emrat e Pajazitit dhe Fetait si dy talente të jashtëzakonshme dhe se fal punës së fortë në këtë edicion shumë emra të rinj do të katapultohen për “të ndritur” në Kombëtaren e Madhe.
Deklarata e plotë e Presidentit Duka: “Përgëzime djemve të Kombëtares U-21 dhe stafit teknik, që i mbyllën kualifikueset e Euro 2025 me fitore kundër Armenisë në “Air Albania”.
Një edicion kualifikues i mbyllur në vend të katërt me 16 pikë, pas Zvicrës, Finlandës dhe Rumanisë. Me pak fat dhe kujdes Kombëtarja jonë U-21 mund ta kishte mbyllur në vend të dytë, por futbolli i tillë është.
Në vazhdimësi presim të punohet edhe më fort në drejtim të rezultateve, si dhe paralelisht për të rritur futbollistët dhe për t’i bërë gati për Kombëtaren A.
Të fundit që e bënë këtë kapërcim ishin Adrion Pajaziti dhe Feta Fetai, në vazhdim presim që të tjerë lojtarë të tregojnë veten dhe të japin kontributin e tyre në Kombëtare.
Le të nxjerrim mësimet e duhura nga ky edicion dhe të vazhdojmë të punojmë fort në të ardhmen që të realizojmë objektivat e vendosura!”