Priten gjashtë ndryshime në rreshtim, ja formacioni i mundshëm i Shqipërisë në miqësoren me Bullgarinë

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur dje përgatitjet teksa ka zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Air Albania” dhe sot do të zbresë në fushë për të zhvilluar miqësoren ndaj Bullgarisë. Normalisht që priten ndryshime në formacion, ashtu si edhe Silvinjo u shpreh në konferencën për shtyp.

Sa i përket grupit, të gjithë janë stërvitur normalisht dhe nuk ka probleme fizike për asnjë nga lojtarët. Ngarkesa ka qenë e lehtë, por ajo që bie në sy është edhe atmosfera fantastike brenda grupit, çka është shprehur edhe në rrjete sociale nga disa prej futbollistëve, të cilët ia kanë marrë valles.

ATMOSFERA FANTASTIKE

Euforia ka mbërthyer Kombëtaren pas rezultateve të fundit që kanë afruar atë ndjeshëm me “EURO 2024”. Kjo shihet qartësisht nga atmosfera rreth ekipit, por edhe nga entuziazmi i lojtarëve.

Skenat para stërvitjes së fundit në “Air Albania” në prag të miqësores ndaj Bullgarisë e tregojnë gjithçka më qartësisht, ndërsa futbollistët kishin mbërritur në stadium për të zhvilluar seancën e fundit stërvitore, aty ka shpërthyer muzika dhe festa.

Vetë futbollistë kanë publikuar në rrjete sociale pamjet, teksa kërcejnë nën ritmet e muzikës popullore, duke u argëtuar para se të zbrisnin në fushë për t’u vënë përsëri nën urdhrat e Silvinjos.

FORMACIONI ANTI-BULLGARI

Padyshim miqësorja me Bullgarinë do të jetë edhe një shans për të gjithë ata futbollistë që nuk kanë marrë minuta në kualifikueset e Europianit.

Silvinjo konfirmoi se do të bëjë disa ndryshime në formacionin e sotëm, teksa në portë pritet ta nisë Tomas Strakosha. Në mbrojtje, Hysaj do të lihet pushim dhe në vendin e tij do të luajë Ivan Balliu.

Në qendrën e mbrojtjes do ta fillojë nga minuta e parë Arlind Ajeti dhe Enea Mihaj që kthehet të luajë pas ndeshjes në Varshavë me Poloninë.

Mesfusha ka vetëm një ndryshim, ku Qazim Laçi do të marrë vendin e Ylber Ramadanit, teksa Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami do të jenë sërish nga minuta e parë.

Në treshen përpara, Silvinjo kërkon ta fitojë këtë miqësore, duke vendosur Jasir Asanin në një krah dhe Ernest Muçin në krahun tjetër, ndërsa në majë Myrto Uzunin.

Në dispozicion për Silvinjon do të jenë edhe: Berisha, Veseli, Hysaj, Gjimshiti, Ramadani, Gjasula, Muja, Seferi, Çuni, Cikalleshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top